Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Tatuazhet lënë nanogrimca metalike në nyjat limfatike

Bërja e tatuazheve mund të rezultojë në futjen e nanogrimcave metalike në nyjat limfatike. Supozohej se kontaminimi vjen nga ngjyra, megjithatë, studimi i ri ka treguar se nuk është kështu.

Shkencëtarët kanë zbuluar se gjurmët e nikelit dhe kromit nga nyjet limfatike të njerëzve me tatuazhe në fakt vijnë nga gjilpëra e makinës për tatuazhe, siç raportohet në revistën Particle and Fiber Toxicology.

Ekipi shkencor i Institutit federal për vlerësimin e riskut në Gjermani e filloi hetimin e tij duke i studiuar indet e personave të vdekur, shkruan “Koha Ditore”. Në nyjat limfatike të personave të vdekur me tatuazhe janë gjetur grimcat e hekurit, kromit dhe nikelit që variojnë në madhësi nga 50 nanometra deri në 2 mikrometra. Nanogrimcat janë shpesh potencialisht më të rrezikshme se grimcat më të mëdha.

Për habinë e tyre, metalet e listuara nuk ishin të zakonshme në ngjyrë, kështu që ata filluan ta kërkojnë një burim tjetër.

“I testuam rreth 50 mostra të ngjyrës pa gjetur grimca të tilla metalike, dhe pastaj menduam t’i testojmë gjilpërat, dhe ky ishte momenti ynë ‘eureka’,” shpjegoi Ines Schreiver, shkencëtare në Institutin federal për vlerësimin e riskut.

Një analizë më e thellë tregoi se ngjyrat e gjelbra, të kaltra dhe të kuqe të tatuazheve përmbajnë pigment të bardhë - dioksid titaniumi i cili mund të mblidhet në gjilpërë. Megjithatë, ngjyra e zezë nuk e përmban këtë pigment.

Edhe Tatuazhet e vjetra mund të shkaktojnë infeksion ose alergji të re Lifestyle Tatuazhet e vjetra mund të shkaktojnë infeksion ose alergji të re

Ky konstatim mund të ndihmojë në shpjegimin se pse tatuazhet herë pas here mund të shkaktojnë reaksione alergjike tek disa njerëz. Për sa i përket pasojave më të mëdha shëndetësore, aktualisht ka pak prova që sugjerojnë se tatuazhet shoqërohen me probleme shëndetësore.

“Fatkeqësisht, sot nuk mund ta konstatojmë ndikimin e saktë në shëndetin e njeriut dhe zhvillimin e mundshëm të alergjive që vijnë nga përdorimi i gjilpërës për tatuazhe”, shtoi Schreiver.