Disa muaj pas rikuperimit prej formës së lehtë të sëmundjes me COVID-19, kur niveli i antitrupave në gjak bie, qelizat imunitare në palcën e eshtrave qëndrojnë të gatshme për të pompuar antitrupa të rinj kundër koronavirusit, kanë bërë të ditur autorët e një studimi të publikuar në revistën shkencore “Nature”, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters
Sistemi imunitar mund të mos e harrojë kurrë formën e butë të sëmundjes COVID-19, raporton agjencia Reuters.
Disa muaj pas rikuperimit prej formës së lehtë të sëmundjes me COVID-19, kur niveli i antitrupave në gjak bie, qelizat imunitare në palcën e eshtrave qëndrojnë të gatshme për të pompuar antitrupa të rinj kundër koronavirusit, kanë bërë të ditur autorët e një studimi të publikuar në revistën shkencore “Nature”, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Gjatë infeksionit, qelizat jetëshkurtra imunitare gjenerohen së shpejti për të sekretuar një valë të re të antitrupave mbrojtës. Teksa qelizat imunitare zhduken, nivelet e antitrupave shfaqin rënie.
Por një sasi e këtyre qelizave imunitare, të quajtura plazma qeliza jetëgjata, mbahen në rezervë edhe pas infektimit.
Shumica e tyre migrojnë tek plazma e eshtrave, ka shpjeguar për Reutersin, Ali Ellebedy, bashkautori i studimit të ndërmarrë nga shkolla e mjekësisë në Universitetin e Washingtonit.
Ekipi i tij ka mbledhur mostra të plazmës së eshtrave nga 19 pjesëmarrës të studimit, shtatë muaj pasi që ata kanë shfaqur simptoma të buta të COVID-19.
Edhe
Antitrupat zgjasin gjashtë muaj pas infektimit me koronavirus
Tek pesëdhjetë prej këtyre pjesëmarrësve janë evidentuar qeliza jetëgjata plazmë që sekretonin antitrupa kundër koronavirusit. Mes pesë prej këtyre 15 pjesëmarrësve janë kryer biopsitë e dyta të plazmës kockore, 11 muaj pas shfaqjes së simptomave dhe te të gjithë është konstatuar se ka pasur ende qeliza afatgjata plazmë që lironin antitrupa kundër virusit SARS-CoV-2.
Duke folur rreth gjetjeve, Ellbedy ka thënë se këto qeliza “vetëm qëndrojnë në palcën kockore dhe sekretojnë antitrupa”.
“Këtë gjë e kanë bërë qysh prej zbulimit të infeksionit dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë pafundësisht... Këto qeliza do të jetojnë dhe do të prodhojnë antitrupa deri në fund të jetës së njerëzve”, thuhet në studim. “Nuk është ende e qartë nëse rezultate të njëjta do të shfaqeshin edhe te të mbijetuarit e formës më të rëndë të COVID-19”, kanë thënë autorët.
Variantet e koronavirusit më evidente te fëmijët në SHBA
Fëmijët duket të jenë bartësit domethënës të varianteve më përhapëse të koronavirusit të ri, sikurse ato që janë identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Californi, ka treguar një studim i ri.
Që nga marsi i vitit 2020 deri në prill të 2021-s, studiuesit në nëntë spitale të fëmijëve kanë testuar gjithsej 2.119 pacientë me COVID-19 të moshave prej 18 vjeç e më poshtë për të ashtuquajturat shqetësime të varianteve, krahas mutacioneve kryesore që kanë ndihmuar që variantet të bëhen më të bartshme apo që t’i shmangin sistemet të imunitetit të pacientëve.
“Në total, kemi identifikuar 560 prej këtyre mutacioneve të rëndësishme dhe 75- përqindëshi i tyre (420 nga 560)... ishte te fëmijët më të rinj se 12 vjeç, popullatë kjo që aktualisht nuk është e kategorizuar për marrjen e vaksinave kundër COVID-19”, ka thënë Jennifer Dien Bard nga spitali i fëmijëve në Los Angeles, njëherësh autore kryesore e një raporti të postuar të hënën në “medRxiv”, që ende nuk i është nënshtruar rishikimit më të gjerë.
Rezultatet ofrojnë “prova evidente” për shfaqjen e shqetësimeve mbi variantet te pacientët pediatrikë në mesin e popullatave të gjeografive dhe shtresave të ndryshme socioekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë të ditur studiues në punimin e tyre të raportuar nga Reuters. Studiuesit kanë shtuar se rezultatet e theksojnë nevojën për monitorimin e vazhdueshëm të popullsisë pediatrike, “që do të jenë në grupet më të fundit për marrjen e vaksinave dhe që janë kyç për përfundimin e pandemisë”.
Protezat strehojnë më shumë baktere te pacientët me COVID-19
Personat që bartin proteza dhe janë të infektuar me koronavirus mund të kenë më shumë gjasa që të strehojnë baktere që e rrisin rrezikun nga infeksionet e tjera, përveç COVID-19, ka sugjeruar një studim i kryer me një grup të vogël pjesëmarrësish.
Edhe
Niveli i antitrupave ndaj COVID-19 “bie shpejt pas infektimit”
Studiuesit kanë analizuar protezat e heqshme të 30 pacientëve me COVID-19 dhe të 30 individë të shëndetshëm. Me anë të mbledhjes së mostrave me tamponë nga protezat është evidentuar prania e streptokokut te 93.3 për qind e pacientëve me COVID-19 krahasuar me 40 për qind sa ishte prania mes vullnetarëve të shëndetshëm. Ndërkaq bakteri i Klabsiella pneumonia është gjetur tek 46.7 për qind e pacientëve me COVID-19 krahas 13.4 për qind mes grupit tjetër.
Të gjithë këta mikroorganizma janë evidentuar si shkaktarë potencialisht të rëndësishëm të infektimeve bakteriale shtesë mes pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 që mund të shpijnë apo t’i përkeqësojnë problemet shëndetësore, si telashet respiratore dhe pneunomia, kanë thënë studiuesit, në një punim të publikuar të premten në revistën shkencore “The Journal of Prosthetic Dentistry”.
Ata kanë rekomanduar që protezat e dhëmbëve te pacientët me COVID-19 të testohen dhe që të përdoren barna adekuate për parandalimin e invazionit të baktereve te individët e brishtë.