Lifestyle

Si të mbijetoni në punën që nuk e doni?

Nuk paguheni kur punoni pas orarit, eprori tepër kërkues, i cili nuk çmon mundin e juaj dhe pastaj mjedisi i punës që ju bën shpesh të palumtur, janë pjesë e rutinës së punës së shumë të punësuarve. Nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë presion të padurueshëm, në disa hapa ditën e punës mund ta bëni më relaksuese dhe më të qëndrueshme.

Rregullojeni hapësirën e punës

Mjafton që tavolinën tuaj ta zbukuroni me lule, fotografi të partnerit tuaj apo miqve apo me ndonjë dekorim që e keni të tepërt në shtëpi, dhe i cili në punë do t’ju krijonte atmosferë më relaksuese. Llamba me vaj eterik, livandë qetësuese apo mente nxitëse do të zbusin ajrin e mbushur me tension dhe ditën të mbushur me obligime.

Regjistroni një kurs në kohë të lirë

Është vështirë të mos mendoni për problemet e punës, madje edhe kur fizikisht nuk jeni atje. Zgjidhni një kurs të gjuhëve të huaja, të punimit të bizhuterive apo ndonjë aktivitet tjetër kreativ me të cilët do të kishit përmbushur kohën e lirë dhe do ta kishit zënë mendjen me diçka që nuk është pjesë e jetës suaj profesionale.

Njihuni me kolegët e rinj

Nëse kolegia juaj më e mirë e cila ka qenë edhe krah për të qarë ka shkuar në një punë tjetër, mos u tërhiqni në vete. Buzëqeshni koleges në korridor apo filloni komunikimin në bufe, ndoshta pikërisht rekomandimi për sallatë është fillim i një miqësie të re në punë.

Dilni nga zyra

Shfrytëzojeni pauzën tuaj për drekë. Edhe nëse hani në tavolinën tuaj të punës, çka nuk rekomandohet shumë, ato 30 minuta shfrytëzoni për një shëtitje relaksuese apo një kafe të shpejtë me kolegë. Pak ajër i pastër dhe bisedë e paobligueshme do të pastrojë kokën tuaj dhe për pak kohë do t’ju largojë nga puna ndaj së cilës jeni përkushtuar.

Përgatitni strategjinë për dalje

Nëse me të vërtetë urreni çdo pjesë të punës suaj, përcillni konkurset për punësim dhe paraqituni në ta. Rregulloni CV-në tuaj, plotësojeni me informata të reja dhe kontrolloni webfaqet që u kushtohen vendeve të lira të punës. Sigurisht, tërë këtë bëjeni nga shtëpia që punëdhënësi juaj të mos paraprijë me largimin përfundimtar nga kompania, pjesë e së cilës nuk dëshironi të jeni më.