Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shumica e të diagnostikuarave me kancer të hershëm të gjirit do të mbijetojnë përtej 5 vjetëve

Përqindjet e vdekjeve nga kanceri i gjirit kanë qenë në rënie të vazhdueshme në dekadat e fundit. Në periudhën prej vitit 1989 deri më 2020, përqindja e vdekjeve nga kanceri i gjirit ka rënë për 43 për qind. Rreziku mesatar i vdekjes nga kanceri i gjirit në pesë vjet pas një diagnoze të hershme ka rënë nga 14% në 5% që nga vitet e ’90-ta, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Oksfordit në Oksford, Angli, që u botua në British Medical Journal.

Për ato që u diagnostikuan midis viteve 2010 dhe 2015, më shumë se gjashtë në dhjetë gra kishin rrezik prej tre për qind ose edhe më pak për vdekje brenda pesë vjetësh që nga diagnostikimi.

Kanceri i gjirit në fazën e hershme përkufizohet si kancer që nuk është përhapur përtej gjirit apo nyjave limfatike aksilare, sipas Institutit Kombëtar Britanik të Kancerit. Për të zbuluar detajet rreth rreziqeve afatgjata nga kanceri i gjirit pas një diagnoze të hershme, studiuesit analizuan të dhënat e Shërbimit Kombëtar të Regjistrimit dhe Analizës së Kancerit, baza e të dhënave të Mbretërisë së Bashkuar që përfshin informacion për mbi 300.000 raste të kancerit.

“Ne e dinim se parashikimi pas një diagnoze të kancerit të hershëm të gjirit është më i mirë tani sesa në të kaluarën, por ne nuk e dinim se sa më mirë është”, ka thënë autorja kryesore e studimit, Carolyn Taylor, onkologe klinike konsulente dhe profesoreshë e onkologjisë në Universitetin e Oksfordit. “Në studimin tonë, ne ishim në gjendje të tregonim se rreziku nga kanceri i gjirit për vdekje pesë vjet pas diagnostikimit të hershëm ishte zvogëluar gjatë 20 viteve të fundit për pothuajse çdo grup grash që kemi studiuar”, ka thënë ajo për Fox News Digital.

Studiuesit kanë analizuar të dhënat e mbi 512,000 grave në Angli, të cilat ishin diagnostikuar me kancer të hershëm të gjirit midis viteve 1993 dhe 2015 dhe që fillimisht u trajtuan me operacion, thuhet në një njoftim për shtyp që bënte publike gjetjet. Rreziku më i lartë i vdekjes u pa në pesë vjetët pas diagnozës, pas së cilës rreziku filloi të binte.

Rreziku ndryshonte sipas metodës së zbulimit të kancerit, moshës së pacientit, llojit të kancerit të gjirit, madhësisë dhe llojit të tumorit dhe nëse kanceri ishte përhapur në nyjat limfatike.

Edhe Studimi: Kontrollet për kancer s’po i identifikojnë rreziqet te shumica e britanikeve nën 50 vjeç Lifestyle Studimi: Kontrollet për kancer s’po i identifikojnë rreziqet te shumica e britanikeve nën 50 vjeç

“Studimi ynë është lajm i mirë për shumicën e grave të diagnostikuara me kancer të hershëm të gjirit sot, sepse parashikimi i tyre është përmirësuar kaq shumë”, kanë thënë studiuesit në njoftimin për shtyp. “Shumica e tyre mund të presin që do të jetojnë gjatë, pavarësisht kancerit”.

Rreziku pesëvjeçar i vdekshmërisë ishte 14.4% për gratë e diagnostikuara midis viteve 1993 dhe 1999 dhe 4.9% për grupin e diagnostikuar midis viteve 2010 dhe 2015.