Lifestyle

Shpenzoni paratë për pushime, do të ndiheni të lumtur

Foto: Ilustrim

Më të lumtur nuk janë ata që kanë shumë para por ata që kanë përjetuar më shumë eksperienca.

Kjo do të thotë që nuk keni pse të shpenzoni të gjitha paratë për të blerë modelet e fundit të telefonit apo të veturave për tu ndjerë të lumtur.

Nëse mendoni se i keni bërë më mirë llogaritë duke shpenzuar paratë për një telefon apo veturë të re pasi në këtë mënyrë lumturia juaj do zgjasë më shumë, gaboheni.

Shkenca garanton se lumturia vjen nga eksperienca, udhëtimet, aktivitetet në ajër të pastër dhe aventurat.

“Një ndër armiqtë e lumturisë është përshtatja”, shpjegon doktori Thomas Gilovich, profesor i psikologjisë në Universitetin Cornell i cili prej vitesh studion raportin mes lumturisë dhe parave.

“Blejmë objekte për të na bërë të lumtur. Ia arrijmë por vetëm për pak kohë. Gjërat e reja janë emocionuese vetëm në fillim por më pas mësohemi me ta. Do të mësohemi shpejt me prezencën e një televizori të ri apo telefoni të ri dhe pak nga pak do të bëhet diçka e zakonshme. Por nuk ndodh kështu me udhëtimet, eksperiencat të cilat bëhen pjesë e identitetit tuaj”, tha Gilovich.

“Pyesni veten një herë. Kush ka pasur influencë më të madhe tek ju, një video-lojë që keni pasur kur keni qenë fëmijë apo një udhëtim me familjen? E dini vetë përgjigjen. Emocionet dhe të qeshurat që keni përjetuar në ato udhëtime ju kujtohen edhe tani”, shtoi ai.

“Eksperiencat tona janë një pjesë shumë e rëndësishme e personalitetit tonë, shumë më shumë se të mirat materiale”, thotë Gilovich në studimin e tij “Një jetë e bukur”.

“Gjërat materiale mund t’ju pëlqejnë shumë, mund t’ju bëjnë të besoni se janë pjesë e identitetit tuaj por në realitet janë gjithmonë të shkëputura nga ju. E kundërta ndodh me eksperiencat, janë pjesë e juaja. Ne jemi këto që jemi nga eksperiencat që kemi përjetuar”, sqaroi profesori Gilovich.

“Njerëzit janë krijesa sociale dhe marrëdhëniet më domethënëse kontribuojnë shumë në lumturinë e tyre. Prandaj mos prisni: bëni gati valixhet merrni dhe kursimet që keni vënë mënjanë për të blerë telefonin e ri apo veturën dhe udhëtoni drejt vendit ku keni ëndërruar”, përfundoi Gilovich./oranews