Lifestyle

Shkencëtarët zbulojnë arsyen e vdekjes së qelizave të trurit gjatë Alzheimerit

Vdekja e qelizave të trurit gjatë sëmundjes së Alzheimerit ka qenë temë e një debati shkencor me dekada.

Por, një ekip i shkencëtarëve nga Britania e Madhe dhe Belgjika, duket se i ka dhënë fund viteve të spekulimit, raporton “The Sun”.

Alzheimeri është shkaku më i zakonshëm i demencës – rënia e funksionit të trurit, kujtesës dhe aftësisë së të menduarit.

Shkaqet e Alzheimerit janë komplekse, por një pjesë kyçe e enigmës është grumbullimi i dy substancave brenda trurit të quajtura amiloid dhe tau, që grumbullohen dhe formojnë strukturave të vogla të quajtura pllaka dhe masa.

Këto e bëjnë të vështirë që truri të funksionojë si duhet.

Një gjë tjetër që ndodh në trurin e dikujt që vuan nga Alzheimeri është humbja e qelizave të trurit – të quajtura neurone – që çon edhe në prishjen e rrjetit nervor dhe humbjen e kujtesës.

Se si këto dy procese kyçe janë të ndërlidhura ka preokupuar shkencëtarët për dekada me radhë.

Por, hulumtuesit e Institutit Britanik për Hulumtim të Demencës në Universitetin e Londrës dhe KU Leuvenit në Belgjikë, duket se kanë gjetur ndërlidhjen.

Ata besojnë se grumbullimi i proteinave jonormale në tru është i lidhur me një formë të vetëvrasjes qelizore që quhet “nekroptozë”.

Duke shkruar në revistën “Science”, ekipi hulumtues ka thënë se kur proteinat amiloide grumbullohen në hapësira mes neuroneve atëherë shkaktohet inflamacioni i trurit.

Neuronet nuk veprojnë mirë dhe kimia e brendshme fillon të ndryshojë.

Kur fillon të formohet masa e taut, atëherë qelizat e trurit fillojnë të prodhojnë një molekulë të quajtur MEG3 që nxit vetëvrasjen qelizore.

Trupat tonë zakonisht përdorin nekroptozën për të larguar qelizat e padëshiruara kur prodhohen ato të reja.

Shkencëtarët kanë studiuar këtë proces duke transplantuar qeliza të trurit të njeriut në trurin e minjve të modifikuar gjenetikisht, të cilët ishin në gjendje të prodhonin shumë amiloide.

Ata ishin në gjendje të siguronin mbijetesën e qelizave të trurit të njeriut kur bllokuan prodhimin e MEG3.

Profesori Bart de Stropper ka thënë për BBC se është zbulim i madh që tregon se “si dhe pse neuronet vdesin gjatë sëmundjes së Alzheimerit”.

“Vërtetë ofrojnë dëshmi të forta se kjo është rruga e vetëvrasjes”, ka thënë De Stropper.

Ky zbulim është vlerësuar shumë i rëndësishëm për gjetjen e trajtimeve të reja që do të mund të ngadalësonin apo ndalonin Alzheimerin në të ardhmen.