Qysh prej ditëve të para të pandemisë, shkencëtarët i kanë mbajtur nën përcjellje ndryshimet në kodin gjenetik të koronavirusit dhe kanë bërë të ditur se ndryshimet e tilla ndodhin vazhdimisht
Londër, 23 dhjetor – Të gjitha viruset pësojnë mutacione në mënyrë të natyrshme dhe në këtë mes as Sars-CoV-2 nuk përbën përjashtim, duke shënuar nga një apo dy ndryshime të evidentuara brenda një muaji. Mutacionet në përgjithësi janë ngjarje të rastit që kanë ndikim të paktë në karakteristikat e një virusi.
Pjesa më e madhe janë thjesht “pasagjerë”, ka thënë mjekia Lucy van Dorp, eksperte e evolucionit të patogjenëve në Kolegjin Universitar të Londrës (UCL).
“Mutacionet në fakt rrallëherë janë dukuri të këqija”, ka shpjeguar ajo. “Pjesa dërrmuese e mutacioneve që i vërejmë në gjenomet e Sars-CoV-2 janë aty si pasagjerë. Ata nuk e ndryshojnë sjelljen e virusit, por thjesht barten përgjatë rrugës”.
Të veçantat e variantit të ri
Mirëpo pas një kohe, një virus godet duke pësuar mutacion në një mënyrë që ndikon pozitivisht në aftësinë e tij për të mbijetuar dhe për t’u riprodhuar.
“Viruset që i bartin këto mutacione më pas mund të shtojnë frekuencën, për shkak të selektimit natyror, duke i llogaritur mjediset e duhura epidemiologjike”, ka thënë Van Dorp. Tani kemi një shtysë të madhe për të kuptuar nëse ky është rasti edhe me variantin e ri të evidentuar në Mbretërinë e Bashkuar (i njohur si B.1.1.7 apo VUI-202012/01), i cili del se po shpërndahet jashtëzakonisht shpejt. Mutacionet në gjenin që e kodon proteinën majë, të cilën virusi e përdor për t’u ngjitur dhe për të hyrë në qelizat e njeriut, janë posaçërisht shqetësuese.
Disa janë raportuar më herët, por jo me të njëjtin numër dhe kombinim të saktë. Varianti ka 14 mutacione që shkaktojnë ndryshim në blloqet ndërtuese të proteinës (aminoacidet) dhe tri fshirje (copat e kodit gjenetik që mungojnë). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, disa prej tyre mund të ndikojnë në mënyrën se sa shpejt shpërndahet virusi.
Një mutacion në proteinën majë (e njohur si N501Y) është raportuar më parë në vendet e tjera, por jo me të njëjtin kombinim dhe me numrin e njëjtë të mutacioneve, duke bërë të ditur se mutacioni i njëjtë ka evoluar disa herë dhe mund të jetë i rëndësishëm në një mënyrë të panjohur.
Një tjerë mutacion në proteinën majë (P681H) mendohet se është nga “rëndësia biologjike”, sipas OBSH-së.
Një fshirje (në pozitën 69-70) është ndërlidhur në të kaluarën me shpërthimet në fermë vizionesh dhe tek pacientët që kishin sistem të dobët imunitar, që mund ta inkubonin virusin për disa muaj.
Fshirja mund të ofrojë disa ide se si varianti ka evoluar, mbase në një pacient me sistem të dobët imunitar, që nuk ishte në gjendje ta luftonte virusin, duke ia mundësuar që të sillet nëpër trup për disa muaj dhe akumuluar mutacione përgjatë asaj kohe.
“Mendimi i tanishëm është se ai ka pësuar aq shumë mutacione në kontekstin e një infektimi kronik”, ka thënë profesori David Robertson nga Universiteti i Glasgowit, i cili është pjesë e konsorciumit “COVID-19 Genomics UK Consortium”, që e ka analizuar variantin e ri.

Ndikimi te vaksinat
Shkencëtarët tani po mundohen me ngut që të zbulojnë më shumë rreth mutacioneve që janë parë në variantin e Mbretërisë së Bashkuar, dhe i cili është raportuar edhe në Australi, Danimarkë, Itali, Islandë dhe Holandë. Një variant i ngjashëm është gjetur edhe në Afrikën Jugore, i cili ka disa nga mutacionet e njëjta dhe që po nxit shqetësime.
Sars-CoV-2 ka qenë në epiqendër të një pune ndërkombëtare shkencore të pashembullt qysh prej fillimit të janarit, kur studiuesit në Kinë e kishin publikuar sekuencën e parë të gjenomit. Shkencëtarët tani kanë ndarë mbi 250.000 gjenomë të Sars-CoV-2, që janë publikuar në platformat e hapura të të dhënave.
Duke marrë mostrën nga një pacient i infektuar, kodi gjenetik i virusit mund të nxirret dhe amplifikohet para se të “lexohet”, duke e përdorur një ndarës. Nukleotidet mundësojnë që të krahasohen gjenomët dhe mutacionet.
“Ndodh falë këtyre përpjekjeve dhe laboratorëve testues në Mbretërinë e Bashkuar që varianti i ri është cilësuar tepër shpejt si shkaktar potencial për shqetësim”, ka thënë mjekia Van Dorp. Informatat shkencore tani po shpërndahen me një shpejtësi marramendëse.
Pyetja kryesore është nëse mutacionet mund të kenë ndikim tek efikasiteti i vaksinave, megjithëse shumë ekspertë kanë thënë se kjo gjë nuk është e mundur, të paktën për një kohë të shkurtër.
“Kjo do të bëhet shumë e rëndësishme, pasi vaksinat veçse janë shpërndarë, kështu që cilido kandidat i besueshëm mund të identifikohet herët, të ndiqet dhe të përcillet”, ka shtuar Van Dorp. “Do të mund të na duhet kohë e gjatë për t’i rivlerësuar kompozimin e vaksinave dhe strategjinë e shpërndarjes së saj, kështu që këto përpjekje do të jenë jetësore. Kurse, aktualisht është vështirë që të themi diçka konkrete”.