Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shenjat paralajmëruese të sëmundjeve autoimunitare

Ekzistojnë më shumë se 100 lloje të ndryshme të sëmundjeve autoimune dhe rreth 23.5 milionë amerikanë vuajnë nga një e tillë.

Çdo sëmundje e shkaktuar nga imuniteti i një personi që sulmon qelizat dhe indet e shëndetshme, është sëmundje autoimune. Sistemi imunitar është ushtria jonë personale, detyra e së cilës është të mbajë trupat e huaj jashtë. Nëse kjo ushtri fillon t’i sulmojë qelizat tona, ne përfundojmë duke vuajtur pasojat e këtij shkatërrimi, shkruan portali “Eat This, Not That”.

Shpesh sëmundjet autoimune mund të jenë të vështira për t'u diagnostikuar sepse simptomat janë delikate dhe lehtësisht të neglizhohen ose injorohen, por njohja e shenjave për të cilat duhet pasur kujdes, është çelësi për gjetjen e një diagnoze më të shpejtë dhe marrjen e trajtimit.

Simptomat e sëmundjeve autoimune mund të jenë shumë jospecifike dhe mund të ndodhin për shumë arsye, jo të gjitha sugjerojnë sëmundje. Ndonjëherë simptomat mund të jenë të paqarta, prandaj vuajtja pa fund është zhgënjyese për njerëzit dhe mungesa e një diagnose të saktë, shpesh rezulton në përshtypjen e gabuar se problemi mund të qëndrojë tek shëndeti mendor. Personat që vuajnë nga sëmundje gjymtuese dhe dëmtime të shumta të organeve, ndihen të bllokuar në trupat e tyre. Përveç kufizimeve fizike, këto sëmundje shkaktojnë edhe një dëm mendor.

Më të rrezikuara nga sëmundjet autoimunitare janë gratë. Disa nga faktorët e rrezikut për sëmundjet autoimune përfshijnë gjenetikën (anëtarë të tjerë të familjes më të prirur të kenë sëmundje autoimune), diagnoza e mëparshme e sëmundjes autoimune (lupus, artriti reumatoid), disa infeksione (COVID, infeksioni i streptokokut të grupit A), mbipesha, pirja e duhanit dhe ekspozimi ndaj toksinave (ndotësit e ajrit, tretësit organikë), medikamentet (medikamente të caktuara për presionin e gjakut, ilaçet kundër kolesterinës, antidepresivë) dhe të tjerë.

Edhe Tetë faktorë rreziku nga gripi sezonal Lifestyle Tetë faktorë rreziku nga gripi sezonal

Sinjalet të cilave duhet kushtuar vëmendje në këtë rast janë: lodhja e tepërt dhe e vazhdueshme, dhimbja dhe ënjtja e kyçeve, skuqja e lëkurës së trupit, dhimbja e barkut dhe ankesa të tretjes, duke përfshirë: kapsllëk, vjellje dhe humbje të oreksit, ethe periodike dhe gjëndra të fryra.

Sëmundjet autoimune gjithashtu rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit. Konsultimi i rregullt me mjekun dhe specialistin ndihmon me parandalimin e zhvillimit të komplikimeve.