Amerika ka një president të dashuruar pas tregjeve, por të paditur ndaj Nënës Natyrë. Dhe SHBA-ja po paguan një çmim tepër të madh për këtë gjë dhe do të paguajë një çmim edhe më
të madh kur bëhet fjalë për ndryshimin e klimës, në rast se Trumpi do të mbetet në krye të vendit.
Si ndodhi kështu? Unë besoj se forca më e fuqishme në planet është Nëna Natyrë. Dhe forca e dytë më e fuqishme është Atë Lakmia, pra tregjet. Koronavirusi u përhap në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Trump e pa në fillim problemin përmes “lenteve” të tregjeve dhe më pas me ato të shkencës së sistemeve natyrore.
Hezitimi fatal
Në fillim, Trumpi i kaloi ditët e para të pandemisë duke vëzhguar ecurinë e tregjeve dhe duke minimizuar potencialin e virusit për t’u përhapur shpejt. Nëse tregjet po shkonin mirë për investitorët, Trump mendonte se kjo do të thoshte se ai po e menaxhonte mirë situatën përballë sëmundjes COVID-19 të Nënës Natyrë, një nga mekanizmat e shumtë darvinianë që ajo përdor për të ndarë pa mëshirë të dobëtit nga të fortët.
Trumpi mendoi se bllokimi i fluturimeve me Kinën mjaftonte për ta frenuar këtë epidemi në rritje dhe për të qetësuar tregjet, pa pasur nevojë për testimet në masë apo kufizimet e mëdha dhe karantinat që kishin vendosur më herët me sukses Koreja e Jugut, Hong-Kongu dhe Singapori.
Dhe ishte gabimi i tij vdekjeprurës. Nëna Natyrë nuk u mahnit nga Trump apo tregjet e tij. Mjerisht, Nëna Natyrë nuk e “nis” ditën e saj të punës në 9:30 të mëngjesit dhe s’e mbyll në orën 4 të pasdites. Nuk punon nga e hëna deri të premten dhe as nuk pushon në fundjavë.
Siç thotë Rob Watson, një nga ambientalistët më të shquar: “Nëna Natyrë është thjesht kimi, biologji dhe fizikë. Kaq”.
Ju nuk mund të flisni ëmbël me të
Ju nuk mund të flisni ëmbël me të. As ta joshni apo manipuloni. Me siguri ju nuk mund t’i thoni: ”Nëna Natyrë, ndalo së shkatërruari tregun tim të bukur të aksioneve”. Kjo është pikërisht ajo që bëri fillimisht Trump me koronavirusin dhe kjo është ajo që po përpiqet të bëjë ende me çështjen e ndryshimit të klimës... (Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Regjistrohuni falas)