Nëse ndonjëherë kemi pirë lëng ose ‘smoothie’ ngjyrë gjelbër të ndritshme, ka shumë mundësi që ai të përmbajë barishte. Ky përforcues popullor vjen nga gjethet e bimës së grurit, i quajtur gjithashtu “Triticum aestivum”.
Ky superushqim ka fituar popullaritet pasi sjell përfitime të jashtëzakonshme shëndetësore, e ka një shije të butë dhe është i pasur me shumë vitamina dhe minerale, duke përfshirë vitaminën A, C dhe E. Tani njerëzit po e shtojnë atë në gjithçka, nga përzierjet e ndryshme të lëngjeve natyrale e deri tek përgatitja e humusit. Prandaj nutricistët ua sugjerojnë ta provoni atë.
Çfarë duhet të dini për barin e grurit?
Barishtja e grurit është bari i ri i bimës së grurit. Duket si prerje lëndine dhe ka një shije relativisht të butë e neutrale. Kjo bimë u përdor në shumë sisteme të mjekësisë tradicionale mbi 5,000 vjet më parë, për të trajtuar kështu kapsllëkun dhe për ta lehtësuar dhimbjen e kyçeve. Ngjashëm me shumicën e bimëve, bari i grurit përmban klorofil, aminoacide dhe shumë lëndë të tjera ushqyese. Po ashtu shquhet si bimë e njohur dhe e zakonshme e kopshtit, pasi duhen vetëm gjashtë deri në tetë ditë për t’u kultivuar.
Përfitimet shëndetësore të barit të grurit
Bari i grurit përmban fibra, të cilat ndihmojnë në ngadalësimin e përthithjes së karbohidrateve në zorrën tuaj. Prandaj është i rëndësishëm për t’i ekuilibruar nivelet e sheqerit në gjak, pasi mosbalancimi i glukozës me kalimin e kohës mund të çojnë në sëmundje kronike si diabeti i tipit 2. Një studim i fundit zbuloi se konsumi i fibrave rezulton dukshëm në përmirësimin e niveleve të sheqerit në gjak dhe triglicerideve.
Edhe
Pesë lëndët ushqyese që i duhen më shumë trupit pas moshës 60-vjeçare
Studimet e kryera mbi kafshë kanë treguar se konsumi i barit të grurit ka çuar në uljen e kolesterinës së keqe dhe triglicerideve. Një tjetër studim zbuloi se efekti i barit të grurit ishte i ngjashëm me atë të atorvastatinës, një ilaç me recetë i dhënë për ta ulur kolesterinën. Sidoqoftë, nevojiten më shumë kërkime për të identifikuar se si bari i grurit mund të ndikojë në nivelet e kolesterinës tek njerëzit.
Bari i grurit është po ashtu i mbushur me vitamina dhe antioksidantë, të cilat mund t’i mbështesin funksionet tona trupore. Sidoqoftë, nuk është një zëvendësim i plotë i një diete të pasur me fruta dhe perime. Antioksidantët parandalojnë dëmtimin e qelizave të shkaktuara nga radikalet e lira. Radikalet e lira të tepërta mund të çojnë në inflamacion më të madh, duke e vendosur trupin tonë në rrezik të shtuar për shumë sëmundje kronike.
Kjo bimë e gjelbër dhe natyrale e përmban një sasi të lartë të vitaminës K, një lëndë ushqyese thelbësore për shëndetin e trurit dhe kockave. Studimet kanë treguar se vitamina K mund ta përmirësojë kujtesën dhe ta parandalojë Alzheimerin. Ndërsa hulumtimi nuk është saktësisht i qartë, një hulumtim i fundit ka zbuluar se bari i grurit mund ta rrisë mprehtësinë mendore dhe kujtesën.