Nëse keni filluar të vini re se po djersiteni më shumë se zakonisht dhe nuk ka të bëjë me vapën apo ushtrimet fizike, nuk është thjesht imagjinatë. Shumë njerëz vërejnë ndryshime në sasinë e djersës teksa kalojnë vitet. Kjo ndodh për shkak të moshës, hormoneve, stresit, barnave, apo edhe ndonjë gjendjeje të fshehur shëndetësore, ka shkruar TIME.
Në të 20-at dhe 30-at
Në të 20-at dhe 30-at, gjëndrat e djersës janë në aktivitetin e tyre maksimal. Metabolizmi është i lartë, masa muskulore është më e bollshme dhe niveli i hormoneve si estrogjeni dhe testosteroni është më i qëndrueshëm.
Zakonisht trupi djersitet më shumë gjatë aktiviteteve fizike ose situatave stresuese, por sipas mjekëve, trupi në përgjithësi e rregullon temperaturën mirë në këtë moshë.
Në të 40-at dhe 50-at
Këtu fillojnë ndryshime të mëdha, sidomos për gratë.
“Hormonët luajnë një rol të madh në rregullimin e djersës. Ndryshimet në estrogjen dhe progesteron, si ato gjatë perimenopauzës apo menopauzës, mund të prishin rregullimin e temperaturës së trupit dhe të shkaktojnë nxehtësi të papritur ose djersitje gjatë natës”, ka thënë dermatologia Asmi Berry nga Kalifornia.
Edhe niveli i hormoneve të tiroides mund të rritet gjatë kësaj periudhe, duke bërë që trupi të nxehet më lehtë. Për burrat, ndonëse ndryshimi i testosteronit ndodh më ngadalë, edhe ata mund të përjetojnë ndryshime në mënyrën se si djersiten.
Në të 60-at dhe më tej
Me kalimin e viteve, gjëndrat e djersës fillojnë të punojnë më pak, që do të thotë se mund të djersiteni më pak në përgjithësi. Por kjo ka edhe pasoja.
“Trupi i të moshuarve bëhet më pak efikas në ftohjen e vetvetes, gjë që rrit rrezikun për probleme si lodhje nga vapa”, ka thënë Marjorie Jenkins, profesoreshë në Universitetin e Dakotës.
Sipas saj, është një pjesë normale e plakjes, por diçka që njerëzit duhet ta kenë parasysh, sidomos gjatë ditëve të nxehta.
Çfarë tjetër mund të shkaktojë djersitje?
Përveç temperaturës së lartë, janë edhe shumë faktorë të tjerë që shkaktojnë djersitje:
Ushtrimet intensive
Ankthi dhe stresi emocional
Dhimbjet fizike
Ushqimet pikante
Kafeina dhe alkooli
Pijet e nxehta
Lageshtia e ajrit
Disa barna
Temperaturat nga infeksionet
“Djersitja nuk është diçka e keqe. Është mënyra se si trupi rregullon temperaturën. Nëse nuk mund ta bëjë këtë, mund të ndodhë goditje nga nxehtësia dhe situata të rënda shëndetësore”, ka shtuar Berry.
A mund të jetë faji i barnave?
Shumë ilaçe mund të shkaktojnë djersitje të tepruar si efekt anësor. Kjo ndodh sepse ato ndikojnë në sistemin nervor, në nivelet hormonale apo në mënyrën se si trupi e kontrollon temperaturën.
“Antidepresantët, sidomos ata si fluoksetina (Prozac) dhe sertralina (Zoloft), mund të rrisin serotoninën në tru, duke ndikuar në rregullimin e temperaturës dhe duke shkaktuar djersitje, sidomos natën”, ka shpjeguar Jenkins.
Barnat kundër dhimbjes si morfina apo oksikodoni gjithashtu mund të prishin këtë balancë dhe të shkaktojnë djersitje.
Grupet e tjera të barnave që mund të shkaktojnë këtë efekt përfshijnë:
Barnat për diabetin (si insulina), sepse niveli i ulët i sheqerit në gjak shkakton djersitje
Barnat për tiroide, sepse rrisin metabolizmin
Qetësuesit e temperaturës si paracetamoli dhe ibuprofeni, sepse ndihmojnë në uljen e etheve përmes djersitjes
Barnat për tensionin e gjakut
“Gjithashtu, edhe ndërprerja e papritur e barnave si opioidet, alkoolit apo nikotinës mund të shkaktojë djersitje të tepruar, ndaj duhet pasur kujdes”, ka shtuar Jenkins.
Ai ka këshilluar se nëse mendoni se një ilaç po ju bën të djersitni shumë, mos e ndaloni vetë. Konsultohuni me mjekun për të parë nëse mund të ndryshohet doza ose ilaçi.
Çka është hiperhidroza?
Hiperhidroza është një gjendje mjekësore ku trupi djersitet shumë më tepër se sa është e nevojshme për të rregulluar temperaturën. Prek rreth 5% të amerikanëve dhe mund të përfshijë djersitjen e madhe të:
Pëllëmbëve
Shputave të këmbëve
Sqetullave
Fytyrës
Djersitja e tepruar mund të çojë në irritime të lëkurës e infeksione bakteriale, sidomos në zona të mbyllura.
“Edhe pse hiperhidroza nuk është rrezik për jetën, ndikimi në cilësinë e jetesës mund të jetë i madh. Shumë njerëz ndihen të izoluar, kanë ankth social dhe shmangin kontaktet për shkak të turpit”, ka thënë Jenkins.
Kur duhet shkuar te mjeku?
Nëse djersitja është e vazhdueshme, e papritur apo po ndikon në jetën tuaj të përditshme, atëherë është e rëndësishme të flisni me mjekun ose dermatologun.
Ekzistojnë trajtime efektive, duke filluar nga kremrat e ndryshme e deri te botoxi, i cili ndalon përkohësisht aktivitetin e gjëndrave të djersës.
Sipas mjekëve djersitja është normale. Por nëse trupi po dërgon sinjale që diçka ka ndryshuar, mos i neglizhoni.