Ideja se obeziteti është thjesht mungesë vullneti, vazhdon të jetë e përhapur, madje edhe mes disa profesionistëve shëndetësorë.
“Personat me mbipeshë thjesht nuk kanë vetëkontroll”; “Është çështje përgjegjësie personale”; “Mjafton të hash më pak”.
Këto ishin disa nga gati 2,000 komentet që u lanë nën një artikull për injeksionet për humbje peshe, ka raportuar BBC.
Një studim i publikuar në revistën mjekësore The Lancet, ka treguar se 8 nga 10 persona në Britani, SHBA, Australi dhe Zelandë të Re besojnë se obeziteti mund të parandalohet plotësisht vetëm përmes stilit të jetesës.
Por, dietologia Bini Suresh, e cila ka mbi 20 vjet përvojë me pacientë mbipeshë, e kundërshton këtë qasje.
“Shpesh shoh pacientë shumë të motivuar, të informuar dhe që përpiqen vazhdimisht, por sërish nuk arrijnë të humbin peshë”, ka thënë ajo.
Edhe Kim Boyd, drejtoreshë mjekësore në WeightWatchers, pajtohet.
“Termat si ‘vullnet’ dhe ‘vetëkontroll’ janë fjalët e gabuara. Për dekada njerëzve u është thënë: ha më pak dhe lëviz më shumë. Por obeziteti është shumë më kompleks”, ka thënë ajo.
Ekspertët kanë theksuar se nuk janë të gjithë njerëzit në të njëjtën pikënisje.
Luftë me biologjinë
Profesoresha Sadaf Farooqi, endokrinologe që trajton obezitetin e rëndë, shpjegon se gjenet luajnë rol të rëndësishëm.
“Sasia e peshës që shton një person ndikohet ndjeshëm nga gjenet, dhe këto gjene i prekin të gjithë”, ka thënë ajo.
Disa gjene ndikojnë në mënyrën si truri kontrollon urinë dhe ndjenjën e ngopjes.
“Ndryshime në këto gjene bëjnë që disa njerëz të ndihen më të uritur dhe më pak të ngopur pas ushqimit”, ka thënë Farooqi.
Një nga gjenet më të rëndësishme është MC4R. Mutacionet në këtë gjen, që nxisin ngrënie të tepruar, i mbart rreth një e pesta e popullsisë botërore.
Gjithashtu, disa gjene ndikojnë në metabolizëm.
“Kjo do të thotë se disa njerëz shtojnë më shumë peshë duke ngrënë të njëjtën sasi ushqimi si të tjerët, ose djegin më pak kalori gjatë aktivitetit fizik”, ka shtuar Farooqi.
Pse dietat shpesh dështojnë?
Kirurgu bariatrik, Andrew Jenkinson, ka shpjeguar se truri i çdo njeriu ka “peshë të preferuar”, të quajtur pika e balancës së peshës.
“Kjo përcaktohet nga gjenet, por edhe nga stresi, gjumi dhe mjedisi ushqimor”, ka thënë ai.
Trupi përpiqet ta mbajë këtë peshë, si një termostat. Kur pesha bie nën këtë nivel, rritet uria dhe ngadalësohet metabolizmi.
“Nëse dikush peshon 127 kilogramë dhe truri i tij mendon se kjo është pesha e duhur, humbja e peshës shihet nga trupi si uri. Kjo shkakton oreks të pakontrollueshëm dhe metabolizëm të ulët. Këto sinjale janë jashtëzakonisht të forta”, ka shpjeguar ai.
Rol të rëndësishëm luan hormoni leptinë, i cili duhet t’i tregojë trurit sa yndyrë ka trupi. Por në shumë raste, sidomos në mjedisin modern perëndimor, ky mekanizëm nuk funksionon si duhet.
Megjithatë, pika e balancës mund të ndryshojë gradualisht, përmes ndryshimeve afatgjata në stilin e jetesës, gjumit dhe menaxhimit të stresit.
Mjedisi që shtyn njerëzit drejt obezitetit
Obeziteti është rritur ndjeshëm në Britani. Sipas një analize të vitit 2025, mbi 60 për qind e të rriturve janë mbipeshë ose obezë.
Kjo lidhet me ushqimet ultra të përpunuara, porcionet e mëdha, marketingun agresiv, mungesën e aktivitetit fizik dhe faktin se ushqimet e shëndetshme janë shpesh më të shtrenjta.
“Ne nuk kemi humbur papritur vullnetin. Jetojmë në një mjedis të ndërtuar për mbikonsum”, ka thënë Alice Wiseman, drejtoreshë e shëndetit publik në Newcastle.
Dietologia Suresh ka theksuar se obeziteti nuk është dështim karakteri.
“Është gjendje kronike, e ndikuar nga biologjia dhe mjedisi. Vetëm vullneti nuk mjafton”, ka thënë ajo.
A ka ende vend për vullnetin?
Jo të gjithë bien dakord që vullneti duhet “përjashtuar” nga debati.
Profesori Keith Frayn ka paralajmëruar se injorimi i tij mund t’i bëjë njerëzit të dorëzohen.
“Personat që kanë humbur peshë dhe e kanë mbajtur atë e përshkruajnë procesin si shumë të vështirë. Të thuash se vullneti nuk ka fare rol, do t’i ofendonte”, ka thënë ai.
Psikologia Eleanor Bryant ka shtuar se vullneti nuk është i qëndrueshëm. Ai ndikohet nga lodhja, humori dhe uria.
“Vullneti fleksibil është më efektiv sesa ai rigid. Nëse ha një biskotë, nuk do të thotë që ke dështuar”, ka thënë ajo.
Në fund, ekspertët bien dakord për një gjë: kuptimi i biologjisë dhe i kufijve të vullnetit nuk e dobëson përpjekjen, por e forcon atë.
“Kur njerëzit kuptojnë se lufta e tyre nuk është mungesë disipline, por biologi, dhe marrin mbështetje reale, marrëdhënia e tyre me ushqimin përmirësohet ndjeshëm”, ka përfunduar Suresh.