Çka do të thotë në të vërtetë dashuria ndaj kukullës Barbie?
Kukulla “Barbie” u krijua më 9 mars 1959 duke thyer tradicionalen e kukullave botërore e duke inspiruar gjenerata. Ajo filloi “karrierën” në Willowbrook për t’u bërë ikonë globale. Kjo kukull u mësoi shumë vajzave se si të ëndërrojnë dhe ta përqafojnë potencialin e tyre.
Përgjatë historisë “Barbie” ka thyer stereotipe duke promovuar gjithëpërfshirje dhe vetëpranim. Sot e kësaj dite ajo vazhdon të fuqizojë njerëzit duke dëshmuar se imagjinata nuk njeh kufi.
Kjo verë sigurisht se i përket “Barbiet”.
Kjo po ndodh për shkak të filmit të Greta Gerwig ku si protagoniste kryesore është Margot Robbie në rolin e “Barbiet” dhe Ryan Goslingu në rolin e partnerit të saj, Ken. Filmi po bën namin botëror dhe kampanjat e marketingut të tij po konsiderohen sukses nga ekspertët.
Kukulla 64-vjeçare që u prodhua nga brendi gjigand i lodrave “Mattel” edhe një herë u bë “zemra” e Amerikës dhe jo vetëm. Gjithkush po e do një ‘Barbie’. Gjithkush po do të jetë “Barbie”. E gjithkush po do të shkojë ta shohë “Barbien”.
Pasi krejt këto po ndodhin lind pyetja se kur u bë jeta plastike kaq fantastike? Për më tepër a ka ekzistuar gjithmonë kjo dashuri për “Barbien”?
Momenti i “Barbiet” është një nga ato momentet e rralla që ndihet si fenomen i zjarrtë brenda natës, ashtu edhe si një sukses që ekziston prej kohësh. Për të kuptuar më mirë kulturën “Barbie”, historinë esaj dhe çfarë do të thotë kur flitet për “Barbien” ka folur Maria Teresa Hart. Ajo është eksperte e “Barbiet” dhe autore e librit “Doll”.
Dashuria ndaj “Barbiet” nuk është e thjeshtë siç duket.
Maria Teresa është e ngazëllyer për filmin dhe kjo gjë është pak çudi sepse ajo në librin e saj është një kritike ndaj kukullës. Asaj i është dukur vetja pak si një “nënë” që i thotë vajzës së saj “Një Barbie?! Ti mund të jesh edhe më e mirë se ajo!”. Megjithatë ajo e pranon se e do “Barbien” dhe kritikën e vet e sheh në formë prindërore duke thënë se kritika e saj është një akt dashurie.
Maria si shumë adhurues të tjerë, po ndihet sikur kur ishte e vogël. Ajo pritjen e filmit e ka shpjeguar si ndjenjën kur e blen një kukull “Barbie” e mezi pret ta hapë paketimin. Ka shumë njerëz që janë rritur me këtë lodër. Ashtu sikurse Maria edhe ata kanë ndjenjë të veçantë kur bëhet fjalë për kukullën e tyre të preferuar të fëmijërisë. Njerëzit nëpër botë po shihen se janë obsesionuar nga kjo ngjarje duke u shfaqur nëpër rrjete sociale me veshje ngjyrë rozë dhe duke ekspozuar trupat e tyre me hashtagun “Barbiecore” apo “Kencore”. Por megjithatë shihet se kjo gjë nuk po ndodh vetëm me veshjen. Kjo po ndodh edhe me modelimin e shtëpive, si ajo me shtëpinë e pushimeve të “Barbiet” që tashmë është në dispozicion në Airbnb. Këtë shtëpi e krijoi dizajnuesja e interierit, Victoria Adesanmi, bashkë me gjigandin e lodrave “Mattel”.
Kur Maria ishte në turin e saj për librin “Doll” (kukulla), kur dikush vinte t’ia tregonte kukullën e vet “Barbie”, asaj i dukej sikur po i tregonte për shenjën e horoskopit. Pra kaq personifikuese ajo e konsideron të jetë një kukull për pronaren/pronarin.
Duke iu referuar vetes ajo ka thënë se është ‘Barbie’ e zakonshme “nga mëngjesi deri në mbrëmje”, që punon e bën jetë të zakonshme. Por kjo nuk është se ia përmbush fantazinë që ka në kokë që të jetë më glamuroze. Ajo ka thënë se është një prej atyre ‘barbieve’ që i ka rrobat “të kthyeshme” në njërën anë i ka të punës e në anën tjetër i ka të festave. “Fundin e zyrës e kthen mbrapsht e shndërrohet në një fund me të cilin mund të shkosh në një ‘party’”,ka thënë ajo.
Kur flitet për kritikën ndaj kukullës ‘Barbie’ dhe vetive të saj, duke përfshirë këtu përmasat perfekte të trupit dhe veshjet perfekte për çdo lloj evenimenti, në New York kishte pasur protestë. Në vitet e ’70-a në një panair të lodrave në NY ka pasur njerëz që kanë protestuar kundër “Barbiet” dhe e patën quajtur krijuesin e saj “seksist”. Historikisht kjo kukull ka pasur reagime nëpër artikuj të ndryshëm duke e kritikuar për trupin e saj duke thënë se janë përmasa joreale.
Por për këto kritika Maria ka thënë se nuk janë domosdoshmërisht të gabueshme. Ajo ka thënë se kukulla më e “keqe” për këto çështje ishte “slumber party barbie”. Në paketimin e kësaj kukulle vinte edhe një peshore bashkë me disa libra me këshilla dietash. E sigurisht ky është fakti që nxiti reagim tek njerëzit pasi e akuzuan “Barbien” se po thoshte “mos hani”!
Peshorja është parë si një mjet i rrezikshëm që të futet në kokën e një vajze të vogël. Maria ka thënë se kjo do të ishte gjë e keqe pasi që do të fillonte të kërkonte të bëhej e dobët si “Barbie” që ndiqte këshillat e librave dietikë.
“Barbie” njëherë u konsiderua si diçka që i kontribuonte patriarkatit. Por me kalimin e kohës kjo ndryshoi pasi që “Barbie” dhe bota në të cilën ajo jeton s’ka të bëjë me patriarkat. “Barbie” jeton në një botë që është tejet liberale dhe bën absolutisht çfarë të dojë. Ajo në atë botë mjafton të vishet me një veshje që i përket një profesioni dhe e ushtron atë profesion. Kaq e thjeshtë është bota e “Barbiet”. Nëse dëshiron të bëhesh presidente, vishu si presidente. Paradoksi është se “Barbie” është e aftë për gjithçka në botën e vet, ani pse ajo botë nuk është gjithnjë një vend ideal.
Varësisht se nga cili këndvështrim shihet kukulla, ajo mund të jetë shumë e mirë, a shumë e keqe për dikë. Megjithatë, Maria mendon se ka shumë lloje të ‘barbieve’ dhe secila femër mund ta gjejë versionin e vet. “Barbie përfaqëson majën e gruas dhe arritjet e saj, dhe kështu ajo do të jetë gjithmonë një këndvështrim i përzier”, ka thënë ajo.
Në fund të fundit, bota po bie në konkludim se “Barbie” nuk është dosmosdoshmërisht një princeshë, një mbretëreshë, një modele e çka jo tjetër... “Barbie” është ajo që një vajzë dëshiron ta bëjë. Një ‘Barbie’ është aq sa ka njohuri pronarja e saj. Pra “Barbie” nënkupton liri të zgjedhjes.