“Isha me 700 njerëz që ishin vërtet të mirë në zgjidhjen e fjalëkryqeve dhe u acarova që isha aq i dobët, kështu që vendosa që ta krijoja një program kompjuterik që do të më ndihmonte”, ka thënë Ginsberg, duke folur për transmetuesin britanik BBC. Dhe më në fund ia doli. Pas 10 përpjekjesh të dështuara, “Dr Fill” – emri i programit – sapo ka fituar garën e tij të parë. Ai doli i pari në Turneun Amerikan të Fjalëkryqeve, garë kjo kryesore e fjalëkryqeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Matt Ginsberg është i mirë në shumë gjëra –është shkencëtar i inteligjencës artificiale, autor, dramaturg, magjistar dhe pilot aeroplani. Por nuk ishte i mirë në zgjidhjen e fjalëkryqeve.
Në fakt, ai ka thënë se zakonisht nuk mund t’i zgjidhë vetë fjalëkryqet e publikuara. Kështu që, një ditë, kur ishte i ulur në sallën e një hoteli dhe po humbte përsëri në një garë të madhe amerikane të fjalëkryqeve, vendosi që të ndërmerrte diçka.
“Isha me 700 njerëz që ishin vërtet të mirë në zgjidhjen e fjalëkryqeve dhe u acarova që isha aq i dobët, kështu që vendosa që ta krijoja një program kompjuterik që do të më ndihmonte”, ka thënë Ginsberg, duke folur për transmetuesin britanik BBC.
Dhe më në fund ia doli.
Pas 10 përpjekjesh të dështuara, “Dr. Fill” – emri i programit – sapo ka fituar garën e tij të parë.
Ai doli i pari në Turneun Amerikan të Fjalëkryqeve, garë kjo kryesore e fjalëkryqeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dr. Fill” përmban shumë të dhëna, përfshirë edhe një bazë gjigante të shenjave dhe përgjigjeve për fjalëkryq që janë marrë nga interneti. Është mësuar që të kërkojë me shpejtësi për t’i vendosur fjalët e mundshme nëpër kutitë e fjalëkryqit. Ginsberg pranon se ishte goxha sistem “primitiv”. Por këtë vit është përmirësuar.
“Disa javë para ngjarjes më kanë kontaktuar disa njerëz që po punonin në Berkeley, që e kishin krijuar një sistem të përgjigjeve të fjalëkryqit. E kuptuam shumë shpejt se mund t’i kombinonim”, ka theksuar ai.
“Pastat helmuese”
Fjalëkryqet mund të duken si detyrë e çuditshme për t’u zgjidhur nga inteligjenca artificiale, por janë një fushë loje mjaft e frytshme për programet kompjuterike.
Fjalëkryqet bazike që kërkojnë përgjigje të shpejta janë jashtëzakonisht të lehta për një inteligjencë artificiale, e cila mund të jetë programuar me sasi të mëdha informatash nga interneti, nga burimet si Wikipedia.
Fjalëkryqet e fshehta, të cilat janë më të njohura për publikun britanik, janë në fakt gjithashtu shumë të thjeshta për një sistem kompjuterik, për shkak se përmbajnë rregulla të caktuara për gjërat si anagrami. Në anën tjetër fjalëkryqet e stilit amerikan kërkojnë njohuri dhe të menduar lateral. Një pyetje për të cilën ai është posaçërisht krenar dhe që e kishte qëlluar ishte: “Një pjatë me pasta në qendër të një misteri të vrasjes”. Përgjigjja ishte pasta të helmuara. “Kjo nuk mund të gjendet në Wikipedia”, ka thënë ai.
“Dr. Fill” i ka bërë vetëm tri gabime gjatë tërë garës, ndonëse në fund ka fituar vetëm nga një margjinë e vogël. Mirëpo Ginsberg nuk e ka pranuar çmimin prej 3000 dollarësh, diçka për të cilën sipas tij ishte pajtuar më përpara dhe ishte “vendimi i duhur”.
Ai e kishte kuptuar se organizatorët e garave mund të bëjnë hile, nëse në garë marrin pjesë edhe njerëzit, edhe programet kompjuterike. Sipas tij, fatmirësisht komunitetit i fjalëkryqeve është “grup i mrekullueshëm”.
Michael Bowling, shkencëtar dhe studiues nga kompania e programeve kompjuterike “DeepMind” dhe profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Albertas, ka folur rreth fitores së programit.
“Përgëzime Ginsburgut dhe ekipit të Berkeleyt. Kjo është arritje e mrekullueshme dhe bashkëpunim frymëzues, kur shohim kombinim të forcave të inteligjencës artificiale”, ka theksuar ai.
Të mësojmë ndryshe
Kur përmendet ajo që cilësohet si qëllimi i përgjithshëm i inteligjencës artificiale, ku një program mund t’i kryejë disa detyra në vend se të jetë i mirë vetëm në një, atëherë kjo është diçka që ka mbetur në të kaluarën, pasi tashmë janë bërë përparime të mëdha.
Përpunimi natyror i gjuhës tashmë ka arritur suksese në botë në përkthim, njohje të zërit dhe ka mundësuar realizimin e bisedave.
“Aftësia jonë për ta kuptuar se çfarë është e lehtë dhe çfarë është e vështirë për kompjuterët është objektivë që do ta ndryshojë gjendjen. Njerëzit dikur mrekulloheshin se një kompjuter mund të luante shah, por tani mendojmë se është e mrekullueshme që njerëzit mund të garojnë me një kompjuter në shah”, ka theksuar Ginsberg.
Mënyra se si një kompjuter vendos se cilin hap ta ndërmarrë në këtë lojë është kombinim i “matematikës, logjikës dhe ‘të shohim se ç’do të ndodhë’” që nuk ka mundësi të jetë e njëjtë me mënyrën se si do ta bënte hapin e caktuar një njeri, ka thënë ai. Ndërkaq pajtohet se njerëzit dhe kompjuterët u qasen problemeve prej këndvështrimeve krejtësisht të ndryshme.
“‘Dr. Fill’ i zgjidh këto probleme shumë më ndryshe sesa ne. Hulumton shumë për të gjitha përgjigjet e mundshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky diversitet është “lajmëtar i mirë” për të ardhmen.
“Do të zgjidhim më shumë gjëra, kur do t’i kemi, përkrah sesa që mund të zgjidhim kur jemi vetë. Do të bashkëpunojmë me kompjuterë për të mirën e përbashkët”. Por ai ende nuk ka plane për ta dominuar botën.
“‘Dr. Fill’ është vetëm një program fjalëkryqesh dhe jam i kënaqur me kaq”, ka thënë Ginsberg.
