“Programi Fluturues i Fëmijëve”, është emision edukativ për fëmijë, i cili u dedikohet veçanërisht parashkollorëve.
Të vegjlit përmes materialeve të shumta njihen me shkronjat, numrat dhe me format e ndryshme. Secili episod i PFF-së ka për koncept një shkronjë të caktuar, me të cilën i njofton shikuesit e vegjël përmes materialeve të shumta dhe mjaft interesante.
Ata mësojnë edhe për kafshë të ndryshme, disa prej të cilave i shohin edhe për së afërmi. Po ashtu, fëmijët njihen me profesione dhe hobi të llojllojshëm. Se cila është puna e ciceronit, e veterinerit apo si duhet vepruar një zjarrfikës në raste emergjente, janë disa prej pyetjeve të cilat marrin përgjigje në PFF. Se çfarë bëjnë Forcat e Sigurisë të Kosovës e cila është puna e Policisë së Kosovës, janë të tjerat.
Në këtë emision shikuesit mund të mësojnë edhe për rregullat e komunikacionit, instrumentet si okarina e harpa, për orientimin në natyrë, për rëndësinë e mjekut për shëndetin tonë e shumë të tjera.
Emisioni përmban edhe kronika të ndryshme që nxjerrin në pah rëndësinë e aktivitetit fizik për shëndetin e fëmijëve, e po ashtu i mëson fëmijët për të kaluarën e popullit shqiptar. Për këto dhe shumë më shumë, mësojnë fëmijët drejtpërsëdrejti nga vizita të ndryshme nëpër institucione apo nga profesionistë të caktuar.
Dhe jo vetëm kaq, ngase “Programi Fluturues i Fëmijëve” ka edhe rubrikën “Punëdore”, ku fëmijët do të mësojnë hap pas hapi se si të krijojnë gjësende të ndryshme me materiale të ndryshme. Arti përfshihet në rubrikën “Ngjyra, ngjyra”, në të cilën ilustrohet një vizatim i caktuar, të cilin, më pas, edhe mund ta ngjyrosin në shtëpitë e tyre. Fëmijët sfidohen edhe përmes kuizit, i cili do t’u mësojë atyre për veten, kafshët, bimët, sendet, vendet dhe për çdo gjë që i rrethon. “Programi Fluturues i Fëmijëve” transmetohet çdo të shtunë nga ora 16:25 në Kohavision.