Lëvizja e lirshme e zorrës së trashë është një simptomë e sëmundjes së stomakut ose diarresë. Disa infeksione bakteriale dhe virale janë shkaktarë të zakonshëm të diarresë, e cila karakterizohet kryesisht nga jashtëqitja e shpeshtë/lëvizja e lirshme.
Kur vuani nga kjo sëmundje, duhet t’i jepni pak pushim stomakut dhe të hani ose pini ushqime të lehta për të, shkruan portali “The Health”.
Këto janë disa ushqime që duhet t’i shmangni patjetër kur vuani nga problemet me stomakun.
Produktet e qumështit
Produktet e qumështit dihet se ndikojnë në shëndetin e zorrëve, duke krijuar kështu më shumë probleme për stomakun dhe duke e përkeqësuar gjendjen e tij. Kjo ndodh kryesisht ngase produktet e qumështit përmbajnë sheqer në formën e laktozës dhe mund t’i përkeqësojnë simptomat tuaja.
Ushqime tepër të ëmbla
Gjërat e ëmbla shpesh shkaktojnë gazra të tepërta, ngërçe, jashtëqitje me ujë dhe dhimbje barku. Kjo ndodh kryesisht për shkak të fruktozës së pranishme në fruta, dhe sheqerit të rafinuar që kërkohet në procesin e pjekjes së artikujve me sheqer.
Ushqimet e fërguara
Shmangni ushqimet që janë të skuqura ose ato që bëhen me shumë vaj dhe erëza. Gjatë kohës sa keni diarre, stomaku është shumë i dobët dhe për këtë arsye, ai kërkon ushqime jo pikante ose që kanë shumë pak ose aspak vaj në to. Kjo ndodh sepse ushqimet e yndyrshme mund t’i shtojnë kontraktimet e zorrëve, dhe të krijojnë reagime negative në sistemin që tashmë është shumë i ndjeshëm.
Shmangni ushqimet me shumë fibra
Gjithashtu këshilloheni që të mos hani ushqime që janë të pasura me fibra, pasi ato kanë një efekt laksativ. Çfarë do të thotë kjo? Thjesht këto ushqime mund t’i stimulojnë lëvizjet e zorrëve, gjë që mund t’ju bëjë të nxitoni në tualet më shpesh.
I thoni jo alkoolit
Një tjetër produkt që nuk duhet ta konsumoni kur keni probleme me stomakun, është alkooli. Alkooli mund ta përshpejtojë tretjen, gjë që ndikon në aftësinë e trupit për ta përthithur siç duhet ujin. Kjo rezulton në lëvizje të lirshme ose diarre.