Lifestyle

Pierpaolo Piccioli, drejtori i ri kreativ i “Balenciagas”

Pierpaolo Piccioli

Foto: Associated Press

Ai po merr drejtimin e shtëpisë së famshme të modës dhe synon ta ndryshojë imazhin e industrisë.

“Balenciaga”, një nga shtëpitë më legjendare dhe njëkohësisht më të diskutueshme të modës, ka tashmë një emër të ri në krye.

Të hënën, grupi “Kering” që zotëron markën, ka njoftuar se disenjatori Pierpaolo Piccioli - i cili ishte drejtuesi afatgjatë i brendit “Valentino” deri më 2024 - është emëruar drejtor kreativ i brendit “Balenciaga”. Ai do të udhëheqë linjat për gratë, burrat, aksesorët dhe ‘couture’. Piccioli zëvendëson disenjatorin Demna, i cili e drejtoi “Balenciagan” që nga viti 2015, duke e kthyer në një markë që ndikon si në trendet e modës, ashtu edhe në çështje shoqërore. Më herët këtë vit, Demna njoftoi se do t’i bashkohet brendit “ Gucci”, gjithashtu pjesë e grupit Kering.

The New York Times ka shkruar se ky ndryshim vjen në një moment të vështirë për “Balenciagan”, e cila ende nuk e ka rikuperuar plotësisht shkëlqimin e viteve të para të Demnas, sidomos pas krizës së shkaktuar nga një fushatë e kritikuar rëndë që disa e konsideruan si të papërgjegjshme.

Në të njëjtën kohë, “Kering” po përballet me rënie të të ardhurave, pasi në vitin 2024, grupi regjistroi rënie prej 12% në shitje, duke bërë ndryshime të mëdha në krijimtari edhe te markat e tjera si “Bottega Veneta” dhe “Gucci”. Emërimi i Picciolit sinjalizon drejtim të ri, më të butë dhe më të ndjeshëm për markën.

Pierpaolo Piccioli është një nga romantikët më të mëdhenj të modës, ndërsa Demna u njoh si një nga tronditësit më të mëdhenj të saj. 

“Ne jemi në një moment të ri të modës. Më parë ishin themeluesit. Pastaj erdhi faza e drejtorëve krijues. Tani jemi në fazën e tretë. Faza njerëzore”, ka thënë Piccoli përmes telefonit për The New York Times.

Ai ka theksuar se dëshiron të krijojë model të ri për mënyrën si ndodhin ndryshimet në krye të markave, jo si një “lojë karrigesh muzikore”, por si “kalim stafetë”.

Piccioli, 57 vjeç, e përshkroi vendimin për t’u bashkuar me “Balenciagan” si një hap “natyral” dhe theksoi se nuk ka ndërmend të fshijë të kaluarën, një qasje që ka qenë e zakonshme në industrinë e modës, siç e ka bërë disenjatori legjendar Hedi Slimane. 

“Nuk dua të mohoj të kaluarën, por ta përqafoj atë për të ndërtuar një të ardhme të re”, ka thënë ai.

Në njoftimin për shtyp, Piccioli ka përfshirë një letër falënderimi për të gjithë drejtorët e mëparshëm të markës që do ta drejtojë, duke filluar nga Cristóbal Balenciaga, themeluesi i shtëpisë; Nicolas Ghesquière, që e riktheu “Balenciagan” në qendër të vëmendjes; Alexander Wang, që udhëhoqi tranzicionin pas largimit të Ghesquières; dhe Demna. 

“Një shtëpi ndërtohet nga shumë njerëz. Ky është një rast për të ndryshuar rregullat nga brenda, për të dhënë një imazh ndryshe të modës dhe të vetë drejtorëve kreativë — sepse ne respektojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Piccioli.

Ai ka konfirmuar se është takuar dhe ka folur disa herë me Demnan (Ka qenë i pranishëm edhe në shfaqjet ‘couture’ të Demnas për “Balenciagan”). Nuk ka plane të menjëhershme për të rindërtuar dyqanet apo për t’i zëvendësuar koleksionet ekzistuese. Piccioli do të zhvendoset në Paris nga afërsia e Romës, ku jeton aktualisht. Ai dhe Demna do të punojnë së bashku për një muaj deri në korrik, kur Demna do të largohet pas shfaqjes së tij të fundit ‘couture’ për “Balenciagan”.

Megjithëse stilet e tyre janë të ndryshme, Piccioli ka thënë se ndajnë një qasje të përbashkët ndaj modës. 

“Ne jemi dizajnerë, jo kuratorë. Për të interpretuar një shtëpi mode, duhet të kapësh frymën e saj, jo thjesht të kërkosh në arkiva. Detyra jonë është të dëshmojmë kohën ku jetojmë dhe të ofrojmë vizionin tonë për bukurinë që i përgjigjet asaj kohe”, ka thënë ai.

Ndryshe nga Demna, i cili trajtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë çështje si ndryshimet klimatike, kapitalizmi dhe lufta në Ukrainë, Piccioli nuk ka qenë gjithmonë politik në mënyrë të hapur, por ka qenë i angazhuar në çështje si diversiteti dhe gjithpërfshirja.

Dashuria e tij për ‘couture’ nuk vjen nga dëshira për ekskluzivitet, por nga vlerësimi për “qasjen unike dhe kujdesin”, për prekje njerëzore në një epokë të dominuar nga inteligjenca artificiale. 

“Është arsyeja pse pas çdo shfaqjeje kam nxjerrë në skenë të gjithë rrobaqepësit dhe rrobaqepëset e ateliesë sime”, ka thënë ai.

Ylli ka shtuar se është frymëzuar gjithmonë nga historia e “Balenciagas”. Në fakt, postimi i tij i parë në Instagram në vitin 2018 ishte një foto e fustanit të nusërisë së famshëm që pati krijuar Cristóbal Balenciagas nga ekspozita e Institutit të Kostumit në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, që quhej “Heavenly Bodies: Fashion and the Catholic Imagination”.

“Ky fustan ka qenë gjithmonë një nga frymëzimet e mia më të mëdha për volumin, format, inovacionin”, ka thënë ai, pasi e kishte shoqëruar atë foto me një citat nga skulptori i famshëm Constantin Brancusi: “Thjeshtësia është kompleksiteti i zgjidhur.” (Simplicity is complexity resolved)
Çfarë do të thotë kjo për koleksionet e ardhshme të “Balenciagas”, sipas The New York Times, do të bëhet e qartë në tetor, kur Piccioli do të paraqesë shfaqjen e tij të parë në Javën e Modës në Paris, si drejtor kreativ i ri i këtij brendi.