Lifestyle

Përfitimet shëndetësore të grejpfrutit janë të shumta, por megjithatë kini kujdes

Grejpfruti është një pemë e shëndetshme tropikale me shije të hidhur, e cila sjell një varg të përfitimeve për shëndetin e njeriut - është e mbushur me vitaminë C, ndihmon në luftën kundër ftohjes dhe sëmundjeve të zemrës, e përshpejton metabolizmin... Megjithatë, kjo pemë i ka edhe disa rreziqe.

Grejpfruti përmban antioksidantë, të cilët ndihmojnë në shërimin e lëkurës së dëmtuar dhe në luftën kundër rrudhave. Ai gjithashtu përmban spermidinë për të cilën shumë studime tregojnë se e ngadalëson plakjen e qelizave.

Në qoftë se lëkurën e trashur në thembra ose duar e mbuloni me feta të grejpfrutit të paktën dhjetë minuta, lëkura juaj do të bëhet e butë, transmeton Koha.net. Nëse dëshironi ta përmirësoni pamjen e lëkurës tuaj, një herë në javë bëni maskë nga grejpfruti për të cilën do t’ju duhet një lugë e madhe mjaltë, një filxhan bollgur dhe lëngun e gjysmë grejpfruti.

Vetitë kimike të grejpfrutit e ulin nivelin e insulinës në gjak, e përshpejtojnë metabolizmin dhe e përshpejtojnë humbjen e peshës. dr. Taz Bhatia, specialist për shëndetin e femrave, ushqyerjen dhe humbjen e peshës, rekomandon ta pini një gotë me lëng grejpfruti për ta reduktuar oreksin.

Grejpfruti gjithashtu ka veti antiseptike, ndërsa bollëku i vitaminave dhe mineraleve në grejpfrut i ushqejnë qelizat e lëkurës, i ngushtojnë poret dhe e lirojnë lëkurën nga yndyra e tepërt. Nëse keni probleme me lëkurën e yndyrshme atëherë kërkoni produkte që përmbajnë grejpfrut.

Konsumimi i grejpfrutit është i dobishëm edhe për parandalimin e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare. Shkencëtarët nga Izraeli kanë kryer një studim në 57 meshkuj dhe femra me sëmundje të zemrës organizmi i të cilëve nuk kishte reaguar ndaj ilaçeve për uljen e kolesterinës. Përmes konsumimit të grejpfrutit ata ishin në gjendje ta rregullonin kolesterinën, si dhe t’i ulin nivelet e yndyrës dhe triglicerideve.

Pavarësisht nga kjo, ekzistojnë situata në të cilat nuk guxoni të hani grejpfrut. Në bashkëveprim me medikamentet e caktuara, grejpfruti mund të ndërhyjë në funksionin e mëlçisë.

“Grejpfruti përmban kimikate që e rrisin efektin e ilaçeve. Pirja e një tablete me një gotë të lëngut të grejpfrutit është e barabartë me marrjen e pesë tabletave me ujë”, thotë farmacisti David Bailey.

Grejpfruti apo lëngu i grejpfrutit mund të shkaktojë reaksion edhe në qoftë se i konsumoni gjysmë ore para ose pasi ta keni pirë ilaçin.

Grejpfruti gjithashtu e rrit nivelin e oksalatit të kalciumit, i cili mund ta shkaktojë formimin e gurëve në veshka.