Lifestyle

Perceptimi i duhanpirësve mund të luajë rol për varësinë

Efekti që nikotina e ka në tru ndikohet nga besimi i duhanpirësit rreth përmbajtjes së nikotinës, sugjeron një studim i ri.

Në një seri eksperimentesh me 24 duhanpirës të varur nga nikotina, studiuesit zbuluan se për t’i kënaqur nevojat për nikotinë, duhanpirësit jo vetëm që duhej të pinin duhan me nikotinë, por gjithashtu duhej të besonin se cigarja përmbante nikotinë, transmeton koha.net.

Pjesëmarrësve të studimit iu dha dy herë nga një cigare me përmbajtje të nikotinës dhe dy herë nga një cigare pa nikotinë (placebo). Me secilin lloj të cigares, atyre iu tha nga një herë e vërteta për përmbajtjen e nikotinës në cigare, dhe një herë iu tha e kundërta, shpjeguan autorët e studimit.

Për shembull, gjatë katër vizitave, duhanpirësit:

• Besuan se cigarja përmbante nikotinë, por kishin marrë placebo.

• Besuan se cigarja nuk përmbante nikotinë, por kishin marrë cigare me nikotinë.

• Besuan se cigarja përmbante nikotinë dhe kishin marrë nikotinë.

• Besuar se cigarja nuk përmbante nikotinë dhe kishin marrë placebo.

Nevojat e duhanpirësve për nikotinë nuk ishin plotësuar kur ata e tymosën cigaren me nikotinë dhe nuk besuan se ajo kishte nikotinë, zbuloi studimi.

"Këto rezultate sugjerojnë se nëse duam që ilaçi të ketë efekt në një person, ai ose ajo duhet të besojë se ilaçi është i pranishëm", tha autorja e studimit, Xiaosi Gu, asistente profesori nga Qendra për Shëndet të Trurit, në Universitetin e Teksasit në Dallas, në një deklaratë të qendrës.

Rezultatet e mbështesin hulumtimin e mëparshëm i cili thotë se besimet mund ta ndryshojnë mënyrën se si një medikament ndikon në nevojën (e varësisë).

Studimi është publikuar online së fundi në revistën Frontiers in Psychiatry.