Lifestyle

Për ftohjet e papritura - kura sherbelë me mjaltë

Uljet e temperaturave shoqërohen me raste në shtim të të prekurve me ftohje të papritura.

Ndryshimi i temperaturave të mëngjesit dhe mbrëmjes nga ato të drekës sjellin konfuzion në mënyrën e të veshurit.

Si rrjedhim, të gjithë jemi më të ekspozuar ndaj ftohjeve që janë aq të pranishme në dimër.

Cilat janë shenjat më të përhapura të ftohjeve të pranverës?

Problemet me fytin, bajamet, kolla dhe rrufa janë shenjat më të përhapura.

Shoqërohen gjithashtu me një lodhje të vazhdueshme, që e bën stinën e re të hyjë me këmbën e gabuar.

Në këto raste këshillohet një përzierje shumë efikase për të qetësuar shëndetin, për të ringjallur organizmin dhe për më shumë energji.

Mjalti dhe sherbela janë dy dhurata të natyrës, që së bashku përbëjnë një superfuqi kuruese.

Në Shqipëri sherbela është një bimë me shumë rëndësi.

Sherbela gjendet në mjaft zona të Veriut dhe të Jugut, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës.

Sherbela shqiptare është shumë e kërkuar në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Gjermani, për shkak të vlerave unike.

Përbërësit

30 gramë gjethe të thata sherbele

Një majë luge piper i kuq djegës

3 gota ujë

Mjaltë sa më cilësor

Lëng limoni, sipas dëshirës

Mënyra e përgatitjes

Përzieni sherbelën, piperin dhe ujin në një enë. Vendosini në zjarr për vlim, pastaj ulni pak nxehtësinë dhe ziejini derisa uji të përgjysmohet.

Më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak. Shtypni gjethet e sherbelës brenda çajit, në mënyrë që të nxirrni sa më shumë lëng prej tyre. Më pas kullojeni.

Shtoni mjaltë për shije dhe lëngun e limonit. Pas ftohjes vendoseni në frigorifer dhe pini nga 1-2 lugë gjelle ose më shumë sipas nevojës për qetësimin e dhimbjes së fytit për kollën dhe për infeksionet në rrugët e frymëmarrjes.

Për të mos u neglizhuar

Çaji i sherbelës këshillohet të mos përdoret tek gratë shtatzëna.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, sasi të mëdha të sherbelës mund të shkaktojnë rrahje të shpeshta të zemrës.

Nëse vuani nga diabeti, përdoreni vetëm me këshillimin e mjekut./AgroWeb