Lifestyle

Pandemia shton rastet e bullizmit kibernetik

Një sondazh me më shumë se 6 mijë 10-18-vjeçarë – nga qershori deri në gusht të vitit të kaluar – zbuloi se rreth 50 për qind e fëmijëve kishin përjetuar të paktën një lloj të bullizmit kibernetik gjatë jetës së tyre

Linjat e ndihmës kanë raportuar shifra në rritje të të rinjve që janë ngacmuar në internet gjatë izolimeve shkaku i COVID-19. Nëse mbesin pa u trajtuar, efektet e ngacmimit mund të kenë një ndikim të vazhdueshëm në jetën e një personi.

Për 16-vjeçaren Abby Rayner bullizmi nuk ndalonte kur kthehej në shtëpi në fund të ditës. “Më bullizonin në shkollë shumë keq”, ka thënë ajo për DW, “por mediat sociale ishin pjesa më e keqe – nuk është se mund t'u shpëtosh”.

Deri së fundmi Rayner ka qenë nën kujdesin e mbikëqyrur pasi një gjykatë britanike vendosi se nëse lihej vetëm kishte rrezik që ta lëndonte veten.

Rayner është një nga mijëra të rinj që kanë përjetuar bullizëm në internet gjatë vitit të kaluar.

Për shkak të shpërndarjes së SARS-CoV-2, vendet u detyruan të mbyllen dhe fëmijët kaluan shumë kohë në internet.

Një sondazh me më shumë se 6 mijë 10-18-vjeçarë – nga qershori deri në gusht të vitit të kaluar – zbuloi se rreth 50 për qind e fëmijëve kishin përjetuar të paktën një lloj të bullizmit kibernetik gjatë jetës së tyre, sipas një raporti të botuar në shkurt nga e Qendra e Kërkimeve të Përbashkëta e Komisionit Evropian (JRC).

Në 11 vendet evropiane të përfshira në raport, 44 për qind e fëmijëve të cilët ishin ngacmuar në internet para izolimit thanë se kjo ndodhi edhe më shumë gjatë izolimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka përshkruar bullizmin si një problem të madh të shëndetit publik, që mund të sjellë depresion, ankth dhe nganjëherë edhe vetëvrasje. Gjithashtu mund të sjellë abuzim me substanca, tërheqje nga shoqëria, mungesa në shkollë dhe mund të ketë pasoja më vonë në jetë, sipas OBSH-së.

Mst: Shtimi i mesazheve dhe thirrjeve drejt OJQ-ve

Gjatë pandemisë, disa organizata joqeveritare kanë pasur rritje të numrit të thirrjeve dhe mesazheve nga të rinjtë që po kërkonin mbështetje. “Zeichen Gegen Mobbing”, OJQ gjermane që ndihmon njerëzit që bullizohen, ka thënë se ka pasur rritje të numrit të fëmijëve që kërkonin mbështetje nga organizata. Një vajzë 11-vjeçare kontaktoi OJQ-në pasi u ngacmua nga shokët e klasës për gjysmë viti. Ajo i tha “Zeichen Gegen Mobbing” se fotografitë e saj ishin postuar në një bisedë në grup në WhatsApp dhe bashkëmoshatarët e saj shkruanin komente si: "Shakaja e ditës", "Ajo duket sërish si m*t". Ideja e kthimit në shkollë e kishte bërë të ndihej keq, i kishte thënë ajo stafit, dhe bullizmi vazhdoi kur u rikthye në shkollë.

“BulliesOut”, organizatë bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar që ofron shërbim mentorimi me e-mail, ka marrë 400 kërkesa në vitin 2020, rreth 200 më shumë se në vitin 2019, kryesisht nga të rinjtë dhe fëmijët. Linda James, themeluesja e “BulliesOut”, tha se të rinjtë që u shkruanin raportonin se po ngacmoheshin më shumë. “Ata po e dëmtonin veten, nuk mund ta shihnin fundin, shqetësoheshin për të ardhmen e tyre, disa prej tyre flisnin edhe për vetëvrasje”, tha James. “Sigurisht se është zemërthyese”.

Abby Rayner është një nga të rinjtë që “BulliesOut” i ka trajnuar për t'u bërë ambasadorë të të rinjve. Ajo ka botuar edhe një libër të titulluar “Bullycide”, një term që përshkruan raste të vetëvrasjes, ku bullizmi është shkaku kryesor. Në të ajo tregon se si bullizmi ka ndikuar në jetën e saj dhe këshillon të tjerët se çfarë mund të bëjnë nëse kanë rënë pre e bullizmit.

Mst: “Njoh njerëz që nuk janë më këtu”

Një zgjidhje e thjeshtë mund të ishte që prindërit t’ua merrnin telefonin e fëmijëve, por frika se kjo mund të ndodhë mund të shkaktojë që të rinjtë të mos i tregojnë askujt se po bullizohen. “Nuk doni t’ju ndodhë diçka e tillë sepse ndëshkoheni, kurse jeni ju ai që po bullizohet”, tha Rayner. Por, për momentin, gjykata ka vendosur që asaj të mos i lejohet përdorimi i telefonit të mençur. Bullizmi në Instagram ishte më i keqi për Raynerin. Pasi u ngacmua në shkollë për vite me radhë, shëndeti i saj mendor u përkeqësua. Në Instagram ajo pëlqente postimet me citate që tregonin se si ndihej dhe më pas filloi të ndiqte llogari që postonin rreth vetëlëndimit dhe vetëvrasjes. “Është dukuri e përhapur në Instagram”, tha Rayner. “Njoh njerëz që nuk janë më këtu”.

Një studim i botuar në “Journal of Adolescent Health” në janar të 2016-s kishte zbuluar se njerëzit që postuan në Instagram gjëra që lidheshin me vetëlëndimin përdorën hashtagë të paqartë për t’iu shmangur gjetjes së postimeve nga njerëzit jashtë komunitetit të tyre. Studiuesit identifikuan më shumë se 10 hashtagë, vetëm një e treta e tyre gjeneroi paralajmërime këshilluese të përmbajtjes nga Instagrami.

Mst: Komunitetet e rrezikshme në Instagram

Për një të ri, këto komunitet në Instagram mund ta japin përshtypjen se të duan, të mbështesin dhe kujdesen për ty, ka thënë studiuesja e bullizmit Masa Popovac, por përbëjnë rrezik të madh për shkak të përmbajtjes. Kur Rayner shikonte nëpër faqet e saj në Instagram, shihte fotografi të vetëlëndimit dhe video të njerëzve në mbidozë. "Kjo nuk është normale”, ka thënë Rayner, “këto gjëra nuk mund të kenë ndikim pozitiv te askush”. “Sa më shumë kohë që kaloni në atë lloj përmbajtjeje ajo normalizohet dhe filloni të mendoni sikur ai komunitet, veçanërisht përderisa krijoni lidhje me anëtarët e tjerë”, ka thënë Popovac.

Mst: Ndarja e barrës

Pavarësisht rrezikut për të mbetur pa telefon, për dikë që po bullizohet, ndarja e asaj që po kalon me dikë që i beson - qoftë ky një i rritur, mik apo dikush tjetër - mund t'i ndihmojë të ndihet më pak i vetmuar dhe ta prishë ciklin e bullizmit.

“Ata që merren vetë me këto probleme për periudha të gjata kohore mund të jenë më të rrezikuar për të pasur shëndet të dobët mendor, duke menduar edhe për vetëvrasje”, ka thënë Popovac.

Shkollat gjithashtu mund t’i trajnojnë të rinjtë që të bëhen mentorë ose “ambasadorë kundër bullizmit”, që mund t’i këshillojnë ata që po ngacmohen. Rayner dëshiron që të rinjtë që po bullizohen ta dinë se bullizmi nuk i definon. “Të qenët i ngacmuar nuk duhet domosdoshmërisht të ndikojë në të ardhmen tënde”, ka thënë Rayner. “Është diçka që nuk do t'ia dëshiroja askujt, por jam bullizuar dhe mund ta ndryshoj dhe të bëj diçka me jetën time”.