Shuarja e rregullt e etjes me pije që përmbajnë sheqer jo vetëm që e favorizon rritjen e peshës trupore, por edhe i rrit shanset e zhvillimit të diabetit të tipit 2 dhe sindromës metabolike, e cila e rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Sindroma metabolike paraqitet kur i keni tre ose më shumë faktorë të rrezikut për sëmundje të zemrës: obesitet abdominal, nivel të lartë të triglicerideve, kolesterinë të reduktuar HDL dhe nivele të larta të sheqerit në gjak që ende nuk janë mjaft të larta për t'u konsideruar diabet, transmeton koha.net.
Të gjitha hulumtimet për sëmundjet e zemrës në 10 vjetët e fundit e kanë pasur të njëjtin rezultat, kur bëhet fjalë për lidhshmërinë në mes të pijeve që përmbajnë sheqer dhe zhvillimit të sindromës metabolike. Ende nuk është e qartë se si këto pije i rrisin gjasat e sindromës metabolike, por është e sigurt që konsumi i tepruar i pijeve të ëmbëlsuara është i lidhur me peshën e shtuar, ndjeshmërinë e ulur të insulinës, me inflamacione, kolesterinë abnormale dhe presion të lartë të gjakut.
Disa studime kanë treguar se pirja e vetëm dy gotave të pijeve të ëmbëlsuara në javë mund të jetë e lidhur me një rritje të rrezikut të sindromës metabolike, diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.
Përveç kësaj, pirja e të paktën një pijeje të ëmbëlsuar me sheqer në ditë është e lidhur me presionin e lartë të gjakut, sidomos tek adoleshentët të cilët janë konsumuesit më të zakonshëm të pijeve të tilla, transmeton koha.net.
Edhe
Lëngjet e ëmbëltuara rrisin për 60 për qind rrezikun për sëmundje të mëlçisë
Pijet e ëmbëlsuara me sheqer e japin një sasi të konsiderueshme kalorish pa përfitime ushqyese, ndërsa kaloritë e tepërta jashtë asaj që është përdorim normal për mirëmbajtjen e aktivitetit çojnë në shtim të peshës.
Si zëvendësim për sasinë e madhe të sheqerit këshillohet konsumimi i frutave, ndërsa sa i përket lëngjeve, uji është gjithsesi forma më e mirë e hidratimit për të gjithë njerëzit pa marrë parasysh nëse ata kanë diabet apo jo.