Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Në Zvicër zbulohet proteina, e cila mund ta ngadalësojë zhvillimin e kancerit të mëlçisë

Universiteti i Bazelit në Zvicër ka njoftuar se është zbuluar një proteinë e cila mund ta ngadalësojë zhvillimin e kancerit të mëlçisë dhe përveç kësaj e ofron një diagnozë më të hershme, si dhe gjasa më të mëdha mbijetese.

Nga ky lloj i kancerit më së shpeshti preken meshkujt më të moshuar të cilët tashmë vuajnë nga cirroza e mëlçisë, ndërsa problemi më i madh është se kjo sëmundje zbulohet vetëm në fazën e avancuar dhe kështu e shkurton mundësinë e mbijetesës, transmeton Koha.net.

“Proteina quhet LHPP dhe ajo e parandalon përhapjen e pakontrolluar të qelizave të kancerit në mëlçi, ndërsa mungesa e saj e shkurton jetëgjatësinë e pacientit për dy vjet”, tha universiteti në një njoftim.

Ata shtuan se përmes mënyrës gjenetike do të duhej të restaurohet prodhimi i kësaj proteine në ata pacientë që nuk e kanë atë.

Ky zbulim është publikuar në revistën “Nature” për të cilën autori kryesor i hulumtimit Savanth Hindupur tha se ishte e mahnitshme që LHPP mungonte plotësisht në indet tumorale, ndërsa në indet e shëndetshme ishte e pranishme. Kështu janë studiuar 4.000 proteina në inde të shëndetshme dhe në tumoret e mëlçisë në minj.

Edhe Proteinat në gjak mund të paralajmërojnë kancerin shtatë vjet më herët Lifestyle Proteinat në gjak mund të paralajmërojnë kancerin shtatë vjet më herët

“Është vërejtur se, në të njëjtën mënyrë si në shembullin e minjve është e pranishme një rënie në nivelet e LHPP në tumoret e pacientëve që vuajnë nga kanceri i mëlçisë”, tha Savanth Hindupur.

Hulumtuesit kanë thënë gjithashtu se numri i njerëzve që kanë kancer të mëlçisë, i cili quhet edhe karcinomë hepatocelulare, është në rritje, dhe se në 20 vitet e fundit numri i rasteve të tilla pothuajse është dyfishuar në Zvicër. Ata shtuan se po punojnë në perfeksionimin e proteinës LHPP ashtu që në të ardhmen të jetë e dobishme në ngadalësimin e zhvillimit edhe të kancereve të tjera.