Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Në Klinikën e Ortopedisë të SHKUK-ut kryhet artroskopia e parë e krahut

Prishtinë, 2 prill - Në Klinikën e Ortopedisë, një ekip i mjekëve specialistë ka kryer për herë të parë me atroskop, një operim në krahun e një pacienti, i cili, për shkak të lëndimeve të shpeshta, i kishte të kufizuara lëvizjet, ndërsa dhembjet i ishin bërë të padurueshme, njofton Zyra për medie e SHSKUK-së përmes një komunikate për media.

Artroskopia është ndërhyrje kirurgjikale. Kjo procedurë kryhet me anë të aparatit të artroskopit, që përdoret për qëllime diagnostikimi dhe trajtimi të problemeve të ndryshme që mund të ketë artikulacioni (nyja).

Klinika e Ortopedisë është pajisur me këtë aparaturë dy muaj më parë, si një investim nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK , me qëllim të rritjes së cilësisë të shërbimeve për pacientët, thekson komunikata.

Siç thotë drejtori i Ortopedisë, Ilir Tolaj, janë kryer intervenime edhe më herët, por në gju. Tash, me metodën minimale invazive, pa e bërë hapjen e nyjës, sipas Tolajt, është kryer një ndërhyrje kirurgjike edhe në krah.

“Është një metodë e re, të cilën po e fusim në përdorim si klinikë dhe besoj që edhe në të ardhmen do të kemi raste të tilla më të shpeshta dhe, në njëfarë forme, ta bëjmë si rutinë”, thotë Tolaj.

Drejtori Tolaj konstaton se pacienti, pas intervenimit, mund ta lëvizë menjëherë krahun. Flet edhe për çmimin e një ndërhyrjeje të tillë jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Nëse do të trajtohej jashtë institucioneve publike, ky lloj operacioni kushton diku 3 mijë euro. Pacienti, menjëherë pas operacionit, fillon me lëvizjen e krahut dhe i jepen këshillat për rehabilitim fizioterapeutik, normalisht, gjithmonë, rehabilitimi bëhet pa dhimbje”, thekson ai.

Për natyrën e komplikuar të lëndimit, flet edhe anesteziologu Agron Rugova, i cili vlerëson se tek pacientët në moshë të shtyrë, veprimet e anestezionit janë më të kufizuara, duke e quajtur sfidë jo të vogël.

Vasa Gashaj, pacientja e cila është operuar, thotë se nuk ka pritur gjatë për intervenim, po ndihet mirë dhe tash më nuk po ndien dhimbje.

“Mas operacionit, po ndihem më mirë se qysh jam kanë”, thotë Gashaj.

Artikuj të ngjashëm