Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Mungesa e barnave për fëmijë godet para sezonit të gripit

“Ka më shumë fëmijë të sëmurë në këtë periudhë të vitit sesa kemi parë në dy vjetët e fundit”, ka bërë të ditur dr. Shannon Dillon, pediatër në Riley Children’s Health në Indianapolis. Ekspertët kanë lajmëruar se ky është faktori kryesor pas mungesave, të cilat ndryshojnë në të gjithë vendin dhe madje edhe brenda komuniteteve.

Kujdesi për fëmijët e sëmurë është bërë tepër stresues kohët e fundit për shumë prindër amerikanë, për shkak të mungesës së tylenolit për fëmijë dhe ilaçe të tjera.

Mjekët dhe ekspertët e tjerë kanë thënë se problemi mund të vazhdojë gjatë sezonit të dimrit, të të ftohtit dhe gripit, por nuk mund të zgjasë aq gjatë sa mungesat e tjera të fundit të formulës për bebe ose të barnave me recetë.

Ata gjithashtu kanë thënë se prindërit kanë alternativa nëse hasin në raftet bosh të dyqaneve.

Çka po ndodh?

Edhe Sezoni më i rëndë i gripit në 15 vjet – pse ndodh dhe si të mbroheni? Lifestyle Sezoni më i rëndë i gripit në 15 vjet – pse ndodh dhe si të mbroheni?

Një fillim jashtëzakonisht i shpejtë i sezonit vjetor të gripit në SHBA, plus një rritje e sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes, kanë krijuar rritje të kërkesës për qetësues të etheve dhe produkte të tjera që njerëzit mund t’i blejnë pa recetë.

“Ka më shumë fëmijë të sëmurë në këtë periudhë të vitit sesa kemi parë në dy vjetët e fundit”, ka bërë të ditur dr. Shannon Dillon, pediatër në Riley Children’s Health në Indianapolis.

Ekspertët kanë lajmëruar se ky është faktori kryesor pas mungesave, të cilat ndryshojnë në të gjithë vendin dhe madje edhe brenda komuniteteve.

“Në këtë pikë, është më shumë si letra higjienike në fillim të pandemisë (COVID-19)”, ka theksuar Dillon. “Thjesht, duhet të shikosh në vendin e duhur në kohën e duhur”.

Prodhuesi i barnave “Johnson & Johnson” ka njoftuar se nuk po përjeton mungesa të përhapura të “Children’s Tylenol”, por produkti mund të jetë “më pak i disponueshëm” në disa dyqane. Kompania ka bërë të ditur se po drejton linjat e saj të prodhimit gjatë gjithë kohës.

Ndërkohë, CVS Health ka vendosur një kufi me dy produkte për të gjitha produktet për qetësimin e dhimbjeve të fëmijëve, të blera përmes farmacive të saj ose në internet.

Walgreens po i kufizon klientët në internet në gjashtë blerje të produkteve për uljen e etheve të fëmijëve pa recetë. Ky kufi nuk vlen për dyqane.

Sipas Administratës së Ushqimit dhe Barnave, përveç produkteve pa recetë, antibiotiku me recetë amoxicillin gjithashtu është në mungesë për shkak të rritjes së kërkesës. Ilaçi përdoret shpesh për t’i trajtuar infeksionet e hundës dhe fytit te fëmijët.

Çka duhet bërë?

Kontrolloni fillimisht për alternativa në dyqan nëse disa produkte nuk janë të disponueshme. Versionet gjenerike të produkteve me emra të markave janë “përsosmërisht të sigurta dhe shpesh opsion shumë më i përballueshëm”, ka theksuar Dillon. Dyqane të tjera aty pranë mund të kenë gjithashtu opsione më të mira. Prodhuesit thonë se nuk ka mungesë të gjerë kombëtare të këtyre medikamenteve, sipas Shoqatës së Produkteve të Kujdesit Shëndetësor të Konsumatorit.

Një mjek i familjes mund të dijë se cilat dyqane kanë furnizime të mira.

Edhe Gripi i hershëm alarmon SHBA-në Botë Gripi i hershëm alarmon SHBA-në

Mjeku gjithashtu mund të jetë në gjendje t’u tregojë prindërve nëse ata mund të provojnë alternativa, si shtypja e dozës së duhur të një versioni të pilulës dhe përzierja e saj me ushqim ose shurup çokollate. Mjekët thonë se prindërit ose kujdestarët nuk duhet ta provojnë këtë vetë, sepse përcaktimi i dozave të duhura për fëmijë mund të jetë i ndërlikuar. “Nuk keni nevojë të eksperimentoni në shtëpi”, ka sqaruar dr. Sarah Nosal, mjeke e familjes në Bronx të Jugut. “Mjeku juaj i familjes dëshiron të flasë me ju dhe t’ju shohë”.

Mbrojtja natyrore

Mjekët gjithashtu paralajmërojnë se ethet nuk duhet gjithmonë të trajtohen. Ato janë mbrojtja natyrale e trupit kundër infeksionit dhe e bëjnë të vështirë riprodhimin e virusit.

Dillon vuri në dukje, për shembull, se ethet mund të mos jenë thelbësisht të dëmshme për fëmijët më të rritur. Megjithatë, prindërit duhet ta çojnë te mjeku një të porsalindur nën 2 muajsh nëse fëmija ka temperaturë . Dhe mjekët thonë se çdo fëmijë me temperaturë duhet të monitorohet për ndryshime në sjellje.

Në vend të ilaçeve, mendoni t'i bëni fëmijës një banjë me ujë të vakët. Uji i ftohtë e bën trupin të dridhet, gjë që në fakt mund të rrisë temperaturën.

Te dhoma e fëmijës vendoseni një ngrohëse me një lagështues të ftohtë me mjegull afër, për të ndihmuar mushkëritë e tyre.

Nosal ka thënë gjithashtu se dy lugë çaji mjaltë mund të ndihmojnë në kontrollin e kollës tek fëmijët më të mëdhenj se një vit. Duhet të shmanget përdorimi i mjaltit për fëmijët e vegjël, sepse mbart rrezikun e botulizmit foshnjor.

Kur do të ketë furnizime të bollshme?

Mungesat mund të zgjasin në disa komunitete deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Zgjidhja e tyre mund të varet nëse ka punëtorë të mjaftueshëm në depo dhe dyqane për ta ofruar produktin, vuri në dukje Erin Fox. Ajo hulumton mungesat e barnave dhe është drejtoreshë e lartë e farmacisë në Universitetin e Shëndetit në Utah, i cili drejton pesë spitale.

Fox ka shpjeguar se nuk ka probleme në fabrika ose mungesë përbërësish që kontribuojnë në mungesat aktuale. Këto pengesa mund të çojnë në ndërprerje të gjata të furnizimit.

Edhe Gripi i vrullshëm mbush spitalet me pacientë Lifestyle Gripi i vrullshëm mbush spitalet me pacientë

“Nuk pres që kjo të zgjasë një vit ose më shumë si disa nga mungesat tona të tjera”, ka thënë ajo.

Përktheu: Blerta Haxhiu