Lifestyle

Mospërmbushja e caqeve për gazrat serrë po i ngre temperaturat globale

“Të pasurit e mbajnë përgjegjësinë më të madhe”, ka shkruar Inger Andersen, drejtor ekzekutiv në Programin Mjedisor të OKB-së. “Më të pasurit, apo 1-përqindëshi i gjithë popullatës botërore, që fitojnë më shumë se dyfishin e gjysmës më të varfër të popullatës globale, duhet ta ulin sasinë në një faktor prej 30, për të mbetur në një linjë me caqet e Marrëveshjes së Parisit”

Berlin, 9 dhjetor – Liderët botërorë do të mund ta shfrytëzojnë pandeminë e koronavirusit për të eliminuar 25 për qind të lirimit të gazrave serrë me anë të pakos së gjelbër të rikuperimit, ka bërë të ditur një raport i publikuar nga Programi Mjedisor i OKB-së (UNEP).

Por deri më tani ata kanë vazhduar të bëjnë zgjedhje që i largojnë nga caqet, për të cilat janë pajtuar para pesë vjetësh në emër të mbrojtjes së klimën dhe qytetarëve.

Duke i djegur karburantet fosile dhe duke i prerë pyjet, vendet janë rrugës për ta nxehur botën për 3.2 gradë celcius gjatë këtij shekulli, pavarësisht se janë zotuar për ta mbajtur nën 2 gradë celcius nivelin e temperaturës. Raporti vjetor i hendekut të lirimit të gazrave, tashmë në vitin e tij të 11-të, e vlerëson boshllëkun mes asaj çfarë vendet janë zotuar të bëjnë sipas Marrëveshjes së Parisit dhe se çfarë në fakt duhet të bëjnë për t’i mbajtur temperaturat nën kontroll.

Pavarësisht zotimeve të fundit nga ndotësit më të mëdhenj se do ta ulin emetimin, raporti i përshkruan zotimet konkrete si “mjerisht të papërshtatshme”.

“Të pasurit e mbajnë përgjegjësinë më të madhe”, ka shkruar Inger Andersen, drejtor ekzekutiv në Programin Mjedisor të OKB-së. “Më të pasurit, apo 1-përqindëshi i gjithë popullatës botërore, që fitojnë më shumë se dyfishin e gjysmës më të varfër të popullatës globale, duhet ta ulin sasinë në një faktor prej 30, për të mbetur në një linjë me caqet e Marrëveshjes së Parisit”.

Hendeku i emetimeve

Përderisa fabrikat janë mbyllur, fluturimet janë anuluar dhe njerëzit po blejnë më pak shkaku i pandemisë, pritet se do të ketë ulje të emetimit të dyoksid karbonit deri në 7 për qind këtë vit, ka zbuluar raporti. Por pandemia e koronavirusit do t’u ndihmojë pak qeverive për t’i arritur caqet e caktuara për temperaturë, po qe se liderët nuk i japin prioritet rikuperimit të gjelbër.

Duke investuar në projekte dhe në infrastrukturë të gjelbër dhe duke i zgjedhur politikat më të mira klimatike, liderët mund t’i ulin emetimet për një çerek nga ato që përndryshe do të mund të jenë më 2030, ka treguar ky raport. Në mesin e zgjidhjeve të sugjeruara është edhe ndalimi i subvencioneve për karburantet fosile, duke i ndaluar impiantet e qymyrit dhe duke mbjellë dru në hapësirat e shpyllëzuara. Por në raport thuhet se shumica e vendeve të pasura po e bëjnë të kundërtën, duke e përkrahur një “status quo të karbonit të nivelit të lartë”, me ç’rast disa edhe po investojnë në projekte të karburanteve fosile.

“Pritej se, për shkak të ngujimit brenda shtëpive dhe pamundësisë për të udhëtuar, po vepronim mirë dhe do të merrnim drejtimin e duhur”, ka thënë Martina Caretta, asistente e lëndës së gjeografisë në Universitetin e Virginias Perëndimore në SHBA dhe autore e IPCC-së, që nuk ishte përfshirë në raport.

Raporti bën thirrje për më shumë veprime rreth aeroplanëve dhe anijeve, që bashkërisht llogaritet se gjenerojnë 5 për qind të emetimeve globale.

Shtimi i zotimeve për neutralizim të karbonit

Disa vende i kanë ngritur ambiciet e tyre gjatë muajve të fundit. Kina, ndotësi më i madh në botë, ka bërë të ditur gjatë tetorit se do të ketë neutralizim të karbonit deri më 2060. Afrika Jugore dhe Koreja Jugore tashmë janë zotuar ta bëjnë një gjë të tillë deri më 2050, ndërsa presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, është pajtuar për të njëjtin qëllim.

Japonia i është bashkuar ujdisë me synimet për ta ulur në zero nivelin e lirimit të gazrave serrë nga mesi i shekullit, që do të thotë se duhet të ulen ndotësit e tjerë, siç është metani. Javën e kaluar Mbretëria e Bashkuar ka shpalosur qëllimin e saj afatshkurtër, më ambiciozin ndër ekonomitë e mëdha, duke u zotuar që t’i zhdukë emetimet e tilla deri në 68 për qind – krahasuar me nivelet e vitit 1990 – brenda kësaj dekade. Por asnjë prej këtyre zotimeve nuk është përkthyer në plane konkrete të veprimeve klimatike, të njohura me Marrëveshjen e Parisit si kontribute të vendosura në shkallë vendi.

Djegia e karburanteve fosile tashmë ka ngrohur Tokën për më shumë se 1 gradë celcius dhe kjo i ka bërë stuhitë më të forta, valët e të nxehtit edhe më të nxehta dhe i ka zgjatur thatësirat. Duke emetuar më shumë dyoksid karboni vit pas viti, liderët botërorë janë duke u mbyllur në ndërprerje më të mëdha të emisioneve në të ardhmen.

Niveli i gazraeve serrë në atmosferë gjatë vitit 2019 ka arritur ekuivalentin e 59.1 gigatonëve të dyoksidit të karbonit. Pandemia ka ndikuar në tkurrjen e lirimit të karbonit, duke e ulur rrjedhën e ndotësve përkohësisht.

“A jemi në rrugë për ta krijuar një urë në hendek?”, kanë pyetur autorët e studimit, duke u përgjigjur: “Absolutisht jo”.

Nëse veprojmë më shpejt sesa më herët do të ulet sasia e dyoksidit të karbonit që duhet të hiqet nga atmosfera, kanë thënë ata. Caqet e temperaturës në Marrëveshjen e Parisit janë shumë larg për t’u arritur, por “veprimet, në formën e uljes së emetimeve për t’i arritur ato, duhet të fillojnë menjëherë”, ka thënë Alaa al Khourdajie, studiues në Qendrën për Politika Mjedisore në Imperial College London dhe shkencëtar në IPPC, që nuk ishte përfshirë në raport.