Kompania farmaceutike “Moderna” ka nisur fazën e parë të testimeve klinike për një vaksinë të re kundër virusit Ebola. Vaksina synon variantin Bundibugyo, që po përhapet aktualisht në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ka shkruar “ABC News”.
Pjesëmarrësit e parë janë vaksinuar në Kanada. Vaksina, e quajtur mRNA-1469, bazohet në të njëjtën teknologji mRNA që “Moderna” përdori për zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19.
Në fazën e parë do të marrin pjesë rreth 80 vullnetarë, me qëllim vlerësimin e sigurisë dhe tolerueshmërisë së vaksinës. Nëse rezultatet janë pozitive, do të vijojnë fazat e dyta dhe të treta të testimit.
Megjithatë, miratimi dhe përdorimi i saj mund të kërkojnë ende muaj ose edhe vite.
Aktualisht nuk ekziston asnjë vaksinë e miratuar për variantin Bundibugyo të virusit Ebola.
Sipas të dhënave, shpërthimi aktual në Republikën Demokratike të Kongos ka prekur më shumë se 3.700 persona dhe ua ka marrë jetën rreth 1.600 personave, duke u bërë një nga shpërthimet më të mëdha të Ebolës në histori.
Edhe
Oksfordi fillon provën e parë të vaksinës për variantin Bundibugyo të Ebolës
“Vaksinimi i pjesëmarrësve të parë me mRNA-1469 është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të një vaksine kundër variantit Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ka asnjë vaksinë të miratuar”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e “Modernas”, Stephane Bancel.
Edhe drejtori i Coalition for Epidemic Preparedness Innovations (CEPI), doktori, Richard Hatchett, e ka cilësuar këtë si moment të rëndësishëm.
“Kjo epidemi po rritet me shpejtësi dhe tashmë është shpërthimi i dytë më i madh i Ebolës në histori. Çdo ditë ka rëndësi dhe çdo vaksinë që hyn në testime klinike na afron më shumë drejt një zgjidhjeje të sigurt dhe efektive për njerëzit që kanë më shumë nevojë”, ka thënë ai.