Lifestyle

Mjeti i ri me AI mund të parashikojë rrezikun për mbi 1000 sëmundje

AI dhe  mjeksia

Shkencëtarët kanë krijuar një mjet të ri me inteligjencë artificiale (AI) që mund të parashikojë rrezikun personal të njerëzve për më shumë se 1000 sëmundje dhe të bëjë prognoza për shëndetin deri në një dekadë dhe më tej.

Mjeti i quajtur Delphi-2M, është zhvilluar nga ekspertë të European Molecular Biology Laboratory (EMBL), German Cancer Research Centre dhe University of Copenhagen, duke përdorur algoritme të ngjashme me ato të modeleve të mëdha të gjuhës (LLMs). Ai është një nga demonstrimet më gjithëpërfshirëse të asaj se si AI mund të modelojë përparimin e sëmundjeve te njerëzit, ka raportuar The Guardian.

Delphi-2M analizon historinë shëndetësore të një pacienti, si diagnoza të sëmundjeve, së bashku me faktorë të stilit të jetesës, si obeziteti, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, mosha dhe gjinia. Mjeti gjithashtu përdor të dhëna të anonimizuara për të parashikuar çfarë mund të ndodhë në dekadën e ardhshme dhe më tej.

“Zhvillimet shëndetësore shpesh ndjekin një model të parashikueshëm. Modeli ynë AI mëson këto modele dhe mund të bëjë prognoza për shëndetin në të ardhmen”, ka shpjeguar Tomas Fitzgerald, shkencëtar në EMBL’s European Bioinformatics Institute (EMBL-EBI).

Mjeti është testuar me të dhëna të anonimizuara nga 400,000 persona marrë nga UK Biobank dhe 1.9 milion pacientë në regjistrin kombëtar danez. Rreziqet shëndetësore paraqiten në formën e probabilitetit të motit, për shembull, sikur parashikimi se ka 70 për qind mundësi të bjerë shi gjatë fundjavës.

“Brenda disa viteve pacientët mund të përfitojnë nga ky mjet. Ju hyni te mjeku dhe ai mund të thotë: ‘Këto janë katër rreziqet kryesore që ju presin dhe këto janë dy gjëra që mund të bëni për t’i ndryshuar’. Shumë këshilla do të jenë të zakonshme, si humbja e peshës ose ndalimi i duhanit, por për disa sëmundje mund të ketë udhëzime shumë specifike”, ka thënë Ewan Birney, drejtues i përkohshëm i EMBL

Përparësia e Delphi-2M ndaj metodave ekzistuese, si Qrisk për sëmundjet e zemrës, është se mund të analizojë të gjitha sëmundjet njëkohësisht dhe për një periudhë të gjatë kohore, diçka që modelet tradicionale për një sëmundje nuk mund ta bëjnë.

“Delphi-2M parashikon ritmet e mbi 1,000 sëmundjeve, duke marrë parasysh historinë shëndetësore të çdo individi, me saktësi të krahasueshme me modelet ekzistuese për një sëmundje të vetme. Për më tepër, ai mund të krijojë skenarë të mundshëm të shëndetit në të ardhmen deri në 20 vjet”, thuhet në raportin e studimit.

“Ky është fillimi i një mënyre të re për të kuptuar shëndetin e njeriut dhe përparimin e sëmundjeve. Modele si i yni mund të ndihmojnë një ditë në personalizimin e kujdesit shëndetësor dhe parashikimin e nevojave të pacientëve në masë”, ka shtuar profesori Moritz Gerstung nga German Cancer Research Centre.