Një studim i ri ka zbuluar praninë e mikroplastikës thellë brenda tumoreve të kancerit të prostatës, duke ngritur pikëpyetje të reja për ndikimin e këtyre ndotësve të përhapur në shëndetin publik.
Gjetjet u prezantuan në simpoziumin për kanceret urogjenitale të American Society of Clinical Oncology dhe ende nuk janë publikuar në një revistë shkencore të rishikuar nga ekspertë të fushës, ka raportuar NBCNews.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoÇka zbuloi studimi?
Studiuesit kanë analizuar mostra të indeve nga 10 burra me kancer të prostatës, me moshë mesatare 65 vjeç, të cilëve prostata u ishte hequr gjatë trajtimit. U analizuan si indet tumorale, ashtu edhe indet jokancerogjene nga ana tjetër e organit.
Rezultatet kanë treguar se mikroplastika ishte e pranishme në 90 për qind të tumoreve. Në 70 për qind të mostrave jokancerogjene u gjetën gjithashtu grimca plastike. Indi kancerogjen përmbante mesatarisht 2.5 herë më shumë plastikë, rreth 40 mikrogramë për gram të indiit.
Autorja kryesore e studimit, doktoresha Stacy Loeb nga NYU Langone Health, ka thënë se përqendrimi më i lartë në indin tumoral ishte “shumë befasues dhe shqetësues”.
“Kjo ngriti pyetje nëse mund të ketë ndonjë lidhje me zhvillimin e kancerit të prostatës. Patjetër që do ta studiojmë më tej me më shumë raste”, ka thënë ajo.
Nuk provohet shkaku
Doktori Michael Eisenberg nga Stanford University, i cili nuk ishte pjesë e studimit, ka theksuar se hulumtimi nuk vërteton lidhje shkak-pasojë.
“Po shohim shumë sinjale për përhapjen e jashtëzakonshme të mikro dhe nanoplastikës dhe lidhje shqetësuese me probleme shëndetësore. Na duhen më shumë të dhëna për të kuptuar pasojat”, ka deklaruar ai.
Një studim i vitit 2024 i publikuar në The Lancet kishte gjetur gjithashtu nivele më të larta plastike në tumoret e prostatës krahasuar me indet përreth.
Si u shmang ndotja gjatë analizave?
Një nga sfidat kryesore në studime të tilla është ndotja laboratorike, pasi plastika është kudo.
Studiuesit kanë deklaruar se morën masa të rrepta për të shmangur kontaminimin. Mostrat u morën nga pjesa e thellë e prostatës dhe si indet tumorale ashtu edhe ato jo tumorale u trajtuan në të njëjtën mënyrë.
“Fakti që po shohim përqendrim më të lartë në tumor nuk mund të shpjegohet lehtë me ndotje”, ka thënë Loeb.
Pse është e rëndësishme kjo?
Sipas American Cancer Society, rreth 1 në 8 burra në SHBA do të diagnostikohen me kancer të prostatës gjatë jetës. Rastet e formave të avancuara janë rritur vitet e fundit në të gjitha grupmoshat.
Doktori Andrea Viale nga MD Anderson Cancer Center ka thënë se, ani pse studimi nuk provon shkak, fakti që mikroplastika gjendet në tumore “duhet marrë shumë seriozisht nga këndvështrimi i shëndetit publik”.
“Duhet të fillojmë të zbatojmë strategji për të kufizuar ekspozimin, sepse nuk e dimë çfarë po bën në trup, por e dimë që nuk duhet të jetë aty”, ka thënë ai.
Si mund të ndikojë mikroplastika?
Sipas ekspertëve, mikroplastika mund:
-të rrisë dëmtimin e qelizave,
-të ndikojë në sistemin imunitar,
-të shtojë inflamacionin në inde,
-të transportojë kimikale potencialisht kancerogjene si ftalatet dhe bisfenolët, që gjenden shpesh në ambalazhe plastike.
Megjithatë, vërtetimi i rolit të saj në zhvillimin e kancerit mbetet shumë i vështirë, pasi plastika përbëhet nga dhjetëra lloje polimerësh dhe përmban shumë substanca kimike të ndryshme.
Studime të tjera në vazhdim
Loeb dhe ekipi i saj kanë siguruar fonde për një studim më të madh me 30 pacientë, për të analizuar nëse sasia e plastikës lidhet me nivelin e inflamacionit dhe me agresivitetin e tumorit.
“Ky është vetëm një studim paraprak. Jemi larg pikës ku mund të themi se plastika shkakton kancer të prostatës. Por duhet bërë më shumë kërkime për të kuptuar nëse kjo është një mundësi reale”, ka theksuar Loeb.