Në epokën e Instagramit dhe Snapchatit, të gjithë dëshirojnë të kenë dhëmbë të bardhë dhe të përsosur.
Për ta pasur një buzëqeshje më vezulluese, konsumatorët mund të zgjedhin trajtime të zbardhjes së dhëmbëve, ose të shkojnë tek dentisti që t’i zbardhin dhëmbët në mënyrë profesionale. Por që të dyja këto lloje të trajtimeve mund t’i dëmtojnë dhëmbët.
Sipas një artikulli të publikuar në ACS Biomaterials Science & Engineering, hulumtuesit e kanë zhvilluar tashmë një metodë të re dhe më pak destruktive.
Dhëmbët mund ta humbin ngjyrën e bardhë në sipërfaqet e tyre të jashtme kur njerëzit konsumojnë ushqime dhe pije me ngjyrë, si kafeja, çaji ose vera e kuqe, transmeton Koha.net. Si rezultat, shumë njerëz u nënshtrohen trajtimeve jo-invazive për zbardhjen e dhëmbëve.
Aktualisht, agjenti më i zakonshëm i zbardhimit është peroksid hidrogjeni, i cili i vjedh elektronet nga molekulat e pigmenteve që e shkaktojnë humbjen e ngjyrës së dhëmbëve dhe ky proces mund të përshpejtohet duke i ekspozuar dhëmbët ndaj dritës së kaltër. Por përqendrimet e larta të peroksidit të hidrogjenit mund ta prishin smaltin e dhëmbëve, duke shkaktuar ndjeshmëri ose vdekje qelizore.
Prandaj, Xiaolei Wang, Lan Liao dhe kolegët e tyre donin të shihnin nëse një komponent tjetër e aktivizuar nga drita e kaltër mund të ishte një alternativë më e sigurt, por ende efektive.
Ekipi i modifikoi nanogrimcat e dioksidit të titanit me polidopaminë (nano-TiO2@PDA) në mënyrë që ato të mund të aktivizoheshin me dritë të kaltër, përcjell Koha.net. Në një eksperiment demonstrues, grimcat nano-TiO2@PDA e veshën në mënyrë të barabartë sipërfaqen e një dhëmbi dhe u rrezatuan me dritë të kaltër.
Pas katër orësh trajtimi, niveli i zbardhjes ishte i ngjashëm me atë që fitohet nga agjentët me bazë peroksid hidrogjenin. Ekipi vuri re se asnjë dëm domethënës nuk ishte gjetur në sipërfaqen e dhëmbit dhe se trajtimi ishte dukshëm më pak citotoksik se peroksid hidrogjeni. Përveç kësaj, terapia nano-TiO2@PDA tregoi aktivitet antibakterial kundër baktereve të caktuara.