Lifestyle

Kur vendoset proteza e gjurit, nga traumat deri te personat me artrit

Doktori shpjegon se pacientët i nënshtrohen kësaj procedure pasi të tëra trajtimet jooperative kanë dështuar në qetësimin e dhimbjes dhe ka më shumë se tri dekada që përdoret gjerësisht, përgjithësisht me rezultate ekselente, në pjesën më të madhe të studimeve jepet një përqindje suksesi mbi 90% pas 10 vjetësh

Nëse ankoheni vazhdimisht nga dhimbje e madhe e gjurit, keni vështirësi në lëvizje, vini re edhe mosfunksionim të duhur të tij, edhe pasi keni modifikuar aktivitetin ditor, keni përdorur antiinflamatorë dhe injeksione intraartikulare dhe kanë dështuar në qetësimin e dhimbjes; atëherë zgjidhja e mundshme për të lehtësuar dhimbjet dhe përmirësuar shëndetin tuaj do të jetë vendosja e protezave në gju. Doktor Ervin Priftaj, Ortoped-traumatolog në një intervistë për MAPO thotë është e këshillueshme veçanërisht te personat që vuajnë nga osteoartrit i rëndë i gjurit, kjo procedurë kirurgjikale rrit kualitetin e jetës dhe zhduk dhimbjet. Dhimbja dhe rënia e kualitetit të jetës janë dy faktorët kryesorë për t’ju nënshtruar kësaj procedure (sipas Arthritis Foundation në SHBA). Doktori shpjegon se pacientët i nënshtrohen kësaj procedure pasi të tëra trajtimet jooperative kanë dështuar në qetësimin e dhimbjes dhe ka më shumë se tri dekada që përdoret gjerësisht, përgjithësisht me rezultate ekselente, në pjesën më të madhe të studimeve jepet një përqindje suksesi mbi 90% pas 10 vjetësh.

Janë dy lloje protezash gjuri

Protezë totale gjuri (Protezat Tre Kompartmentale)

Protezat e gjurit unikompartmentale (mini knee)

Të dyja llojet kanë rezultate shumë të mira (jetëgjatësi dhe klinikisht).

Përgjithësisht protezat e gjurit kanë një incision anterior 7 – 10 cm, qëndrim në spital 3–5 ditë, dhe një periudhë shërimi (gjatë të cilës i sëmuri ecën me paterica ose shkop) që shkon nga 1–6 muaj. Pjesa më e madhe e pacientëve referojnë qetësim substancial ose të plotë nga simptomat osteoartritit pasi i janë nënshtruar protezimit të gjurit. Eliminimi i dhimbjes konsiderohet si faktor çlirues për shumë pacientë që i nënshtrohen kësaj procedure.

Protezat Unikompartmentale, ashtu si Protezat Totale ofrojnë rezultate të shkëlqyera klinike, por vetëm një pjesë e vogël e pacientëve me probleme artritike (rreth 10 %) janë kandidatë të përshtatshëm për këtë procedurë.

Etiologjia

Dëmtimet osteoartritike të gjurit janë shkaqet kryesore për Protezë Totale Gjuri. Kjo është një sëmundje e artikulacioneve sinoviale, që karakterizohet nga procese degjenerative dhe reparative, dhe që observohet në 40% të ekzaminimeve radiologjike në pacientët ≥ 40 vjeç. Megjithatë, vetëm 50% e këtyre pacientëve janë simptomatike. Osteoartriti mund të jetë primar ose sekondar.

Dëmtimet mekanike (si dëmtimet e mëparshme të menisqeve ose te Ligamenteve Kruciate), infeksionet piogenike, instabiliteti ligamentar, si dhe frakturat intraartikulare janë shkaqet më të shpeshta të osteoartritit sekondar. Shkaqe të tjera dëmtimeve kartilaginoze përfshijnë artritin rheumatoid, hemofilinë, sinovitin vilonodular të pigmentuar, nekrozat avaskulare idiopatike dhe steroide, dhe rrallë displazinë kockore.

Studimet e faktorëve të riskut për Osteoartritin e rëndë të kokso-femoralit dhe gjunjëve kanë treguar se vëllezërit dhe motrat e personave që i janë nënshtruar protezimeve të artikulacioneve kanë probabilitet 3-5 herë më të madh se personat me moshë të njëjtë me ta, për të patur nevojën e një ndërhyrje të njëjtë kirurgjikale. Kjo do të thotë që gjenet kontribuojnë rreth 30% në riskun total për Osteoartrit të rëndë.

Studimet me bazë laboratorike kanë treguar që kromozomi 11 është i lidhur me osteoartritin e rëndë të kokso-femoraleve dhe kromozomi 2 me osteoartritin e rëndë të gjunjëve. Gjenet e saktë të përfshira nuk njihen akoma.

Patofiziologjia

Shkaqet ekzakte të proceseve degjenerative në osteoartritin primar janë të panjohura. Ato mund të përfaqësojnë një defekt në procesin riparues qelizor (kondrocitet). Kartilagot osteoartritike është parë që përmbajnë sasi të rritura të ujit ; alterime në tipin e proteoglikanit; abnormalitete në tipin II të kolagjenit; dhe nivele të ulura të katepsinës, metaloproteinazës, interleukinës-1, dhe të tjerëve përbërës të kaskadës së kompleksit të proceseve enzimatike.

Ndryshimet në sinovia përfshijnë: hiperplazi të sinoviociteve, një rritje të popullatës leukocitare në membranë dhe fluid, rastësisht qeliza gjigante, revaskularizim me rritje të permeabilitetit vazal, dhe alterime të formimit të matriksit dhe citokinave qelizore.

Sëmundja

Historia klinike në një pacient me artrit të gjunjëve dominohet nga dhimbja. Kjo zakonisht ndodh gjatë peshimit por në stadet përfundimtare dhimbja mund të jetë konstante dhe që nuk qetësohet nga pushimi. Dhimbja natën është një simptomë që kërkon vëmendje. Dhimbja mund të jetë e lokalizuar në një kompartment ose e përhapur në tërë gjurin. Simptomat e tjera përfshijnë ngurtësimin artikular, ënjtje, ndjesinë e daljes bosh.

I sëmuri pyetet për maksimumin e distancës së ecjes, për përdorimin e shkalleve (kryesisht ngjitja) dhe e cila është shfaqja e parë për dëmtimet patella-femorale, nevojën për ndihmë ose suport gjatë ecjes, aftësinë për t’u veshur/zhveshur vetë dhe për t’u kujdesur për veten, aftësinë e të kryerit të aktiviteteve që kërkojnë fleksion të gjurit.

Disa të sëmurë mund të ndiejnë interferencë të madhe të kësaj sëmundjeje në jetën e tyre sociale, funksionin seksual, gjumë dhe mund të ndihen të lodhur ose të depresuar prej sëmundjes së tyre.

Kontrollohet integriteti ligamentar sepse deficenca e tyre mund të kërkojë përdorimin e protezave speciale me stabilizim intrinsic.

Duhet kërkuar dhe përjashtuar vazhdimisht origjina të tjera për dhimbjen e gjurit dhe këmbës. Këto përfshijnë diskopatitë dhe sëmundjet e tjera spinale, dhimbje e irrituar nga lart. Kokso-femoral ipsilateral, sëmundjet vaskulare periferike, meniskopatitë dhe bursitet e gjunjëve.

Ekzaminimi radiologjik duhet të korelojë me shenjat klinike për artritin e gjurit. Radiografitë e kërkuara duhet të përfshijnë një pamje antero-posteriore (A-P) në këmbë, një laterale në këmbë dhe një pamje tagenciale (skyline view) të pateles. Mbyllja e hapësirës artikulare, skleroza subkondrale dhe osteofitet konfirmojnë diagnozën e osteoartritit.

Përqindja e përgjithshme e mortalitetit në Protezat e Gjurit është më pak se 1%, por kjo shifër rritet me moshën, te meshkujt dhe nga patologjitë e ndryshme të kaluara. Identifikimi i këtyre patologjive para interventit është i rëndësishëm për uljen e komplikacioneve perioperative.

Një vlerësim i rrethanave sociale të pacientit është i rëndësishëm për organizimin e rehabilitimit postoperator të pacientit.

Ekzaminimi duhet të përfshijë edhe vlerësimin e shenjave ekzistuese ose të defekteve të indeve të buta rreth e rrotull gjurit. Gjithashtu një vlerësim i kujdesshëm i statusit vaskular të anësisë duhet bërë. Duhen identifikuar dhe trajtuar infeksionet sistemike ose lokale.

Duhen identifikuar dhe trajtuar deficitet e mundshme të kuadricepsit dhe mekanizmave ekstensorë nëpërmjet rehabilitimit sepse këto mund të ulin dhimbjen dhe lehtësojnë shërimin. Matet harku i lëvizjeve, deformimet e mundshme flektore ose varus valgus dhe regjistrohen. Parashikuesi me i mirë i harkut të lëvizjeve pas Protezimit të Gjurit është harku preoperator i lëvizjeve.

Indikacionet

Indikacioni kryesor për Protezimin e Gjurit është lehtësimi i dhimbjes së shkaktuar prej artritit të rëndë. Dhimbja duhet të jetë e rëndësishme dhe invalidizuese. Dhimbjet e natës janë veçanërisht treguese. Në qoftë se mosfunksionimi i duhur i gjurit jep ulje të cilësisë së jetës, kjo duhet marrë në konsideratë. Korrektimi i deformimeve është një indikacion i rëndësishëm, por rrallë përdoret si indikacion primar për kirurgjinë.

Ekzaminimi radiologjik duhet të korelojë me shenjat klinike për artritin e gjurit. Pacientët me humbje më të pakta të hapësirës artikulare, pas Protezimit të Gjurit kanë rezultate më pak të pëlqyeshme. Ezaurimi i gjithë trajtimeve konservative duhet marrë parasysh para kirurgjisë.

Protezimi i Gjurit ka një jetëgjatësi të pritshme që varet shumë prej nivelit të aktivitetit jetësor. Zakonisht, indikohet për moshat e mëdha me aktivitet të reduktuar. Gjithashtu është e indikuar edhe për pacientët e rinj të cilët kanë funksion të limituar si pasojë e artritit sistemik me prekje të shumë artikulacioneve.

Pacientët e rinj që kanë nevojë për Protezë Gjuri, veçanërisht ata me artrit posttraumatik, nuk duhet të përjashtohen për shkak të moshës nga protezimi, por duhet që të kenë paaftësi të shprehur në përdorimin e gjurit, dhe të jenë të qartë për jetëgjatësinë e protezës.

Shumë rrallë, artriti i rëndë patello-femoral mund të justifikojë proteizimin, sepse rezultati i pritshëm i protezimit është superior ndaj patellektomisë. Zëvendësimi vetëm i patella-femoralit është akoma nën investigim.

Korrektimi i deformimeve mund të bëhet indikacion primar për protezim në pacientët me artrit të moderuar kur kontraktura flektore ose laksiteti varus / valgus është i rëndësishëm. Në të tilla raste, zakonisht nevojiten proteza me specifike, që sjellin vështirësi më të mëdha teknike gjatë interventit si dhe më shumë pasiguri në jetëgjatësinë e protezës.

Llojet e lëvizjeve të gjurit

Lëvizjet e gjurit mund të klasifikohen se kanë 6 kahe drejtimesh lëvizjesh të lira: 3 lëvizje transferuese (përfshirë antero/posterior, medial/lateral dhe inferior/superior) dhe 3 lëvizje rotulluese (përfshirë fleksion/ekstension, intern/ekstern dhe abduksion/adduksion).

Lëvizjet e gjurit janë të përcaktuara nga forma e sipërfaqes artikulare të tibias dhe femurit, si dhe nga orientimi i 4 ligamenteve kryesore të gjurit, ku përfshihen ligamentet kruciate anterior dhe posterior si dhe ligamentet kolateral medial dhe lateral të cilët janë të lidhur si “four-bar linkage system” (sistem bashkimi me 4 shufra)

Fleksion/ekstensioni i gjurit përfshin kombinimin e lëvizjeve rrokullitëse dhe rrëshqitëse që quhet “femoral rollback”, e cila është një mënyrë e zgjuar që lejon rritjen e diapazonit të fleksionit. Për shkak të asimetrisë mes kondileve femoralë lateral dhe medial, kondili lateral përshkon një distancë më të gjatë se kondili medial gjatë 20 gradëve të para të fleksionit të gjurit. Kjo shkakton një rotacion ekstern të tibias, që është përshkruar si “screw-home mechanism” i gjurit e cila e bllokon gjurin në ekstension.

Ligamenti kolateral medial dhe lateral

Funksioni kryesor i ligamentit kolateral medial është që të përballojë rotacionin në valgus të gjurit, dhe funksionin dytësor të kontrollojë rotacionin ekstern të gjurit. Ligamenti kolateral lateral përballon rotacionin në varus të gjurit dhe kontrollon rotacionin intern.

Ligamenti kruciat anterior

Funksioni primar i ligamentit kruciat anterior (LCA) është që t’i rezistojë zhvendosjes anterior të tibias mbi femur kur gjuri është i flektuar dhe të kontrollojë “screw-home mechanism” të tibias në ekstensioni terminal të gjurit. Funksioni dytësor LCA është t’i rezistojë rotacionit varus/valgus të tibias, veçanërisht kur ligamentet kolaterale mungojnë. LCA i reziston gjithashtu rotacionit intern të tibias.

Ligamenti kruciat posterior

Funksioni kryesor i ligamentit kruciat posterior (LCP) është të lejojë “rrollback-un” femoral në flexion dhe t’i rezistojë zhvendosjes posteriore të tibias mbi femur. LCP kontrollon gjithashtu rotacionin ekstern të tibias në shtimin e fleksionit të gjurit.

Ruajtja e LCP në Protezat e Gjurit është para që nga ana biomekanike siguron një kinematike normale te “rrollback-ut” të femurit mbi tibian. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për të përmirësuar krahun ngritës të mekanizmit kuadriceps me gjurin në fleksion.

Patellofemoral joint

Lëvizjet e artikulacionit patello-femoral mund të karakterizohen si lëvizje rrëshqitëse. Gjatë fleksionit të gjurit, patella lëviz distalisht mbi femur. Kjo lëvizje realizohet prej inserimeve në patele të tendinit të kuadricepsit dhe ligamentum patella, si dhe prej pjesës anterior të kondyleve femorale. Muskujt dhe ligamentet e artikulacionit patello-femoral janë përgjegjës për ekstensionin e gjurit. Patella luan rolin e makarasë në transmetimin e forcave nga muskuli kuadriceps në femur dhe ligamentin patellar.

Akset mekanike

Aksi mekanik i anësisë inferior është një linje imagjinare nëpër të cilën kalon pesha e trupit. Ajo kalon nga qendra e kokso-femoralit në qendër të artikulacionit talo-krural duke kaluar në mes të gjurit. Në prezencë të deformimeve te ndryshme kjo linje alternohet dhe duhet rivendosur me rruge kirurgjikale, e cila lejon normalizimin e ecjes dhe ruan protezën nga ngarkesat eksentrike dhe nga komplikacionet e hershme.

Kundërindikimet

Kundërindikimet absolute për Protezimin e gjurit përfshinë: sepsis, infeksion prezent aktiv në organizëm, mosfunksionim i mekanizmit ekstensor, sëmundje të rënda vaskulare, deformim rekurvatum si pasojë e humbjes së masës muskulore si dhe prezenca e një artrodeze funksionante.

Kundërindikimet relative përfshijnë gjendjet shëndetësore që nuk lejojnë kryerjen e anestezisë si dhe nevojat e kirurgjisë dhe rehabilitimit. Kundërindikime të tjera relative përfshijnë gjendjen e lëkurës mbi gjurin që do i nënshtrohet interventit (p.sh. psoriazis), histori osteomieliti përreth gjurit, artikulacion neuropatik dhe obeziteti.

Rezultatet dhe Prognoza

Pjesa më e madhe e pacientëve janë të kënaqur me Protezën e gjurit, sidomos kur indikacioni kryesor për ndërhyrje ka qenë qetësimi i dhimbjes. Funksioni i gjurit rikthehet shpejt zakonisht pas protezimit të gjurit. Studimet afatgjata konfirmojnë rezultate te kënaqshme funksionale dhe tregojnë një mbijetese 91-96% në 14-15 vjet pas protezimit.

Nuk është evidentuar ndonjë diference midis protezave me ruajtjeje LCP dhe protezave me sakrifikim të LCP. Për protezat pa cement nuk ka akoma ndonjë studim afatgjatë, por studimet 10-12 vjet pas protezimit tregojnë një mbijetesë 95%.3,7,8,17,18.

E ardhmja

Protezat totale të Gjurit me cement do të ngelen kriteri standard për protezimin e gjurit, por gjithashtu përdorimi i protezave pa cement me sipërfaqe bioactive (p.sh. hidroksiapatite) kanë treguar rezultate afatmesme premtuese.