Lifestyle

Koronavirusi u përhap më shpejt sesa mendohej

Foto: Reuters

Koronavirusi i ri është përhapur nëpër Kinë me një ritëm shumë më të shpejt sesa mendohej më parë, ka bërë të ditur një ekip hulumtues amerikan, duke sugjeruar se vaksinimi ose imunizimi do të jenë të nevojshëm për t’i dhënë fund pandemisë.

Studimi i kryer nga ekipi ka treguar se çdo person i infektuar në fazën e hershme të epidemisë në qytetin kinez, Wuhan, e ka bartur virusin mesatarisht te 5.7 persona të tjerë. Kjo e dhënë del bazuar në një analizë matematikore të kryer nga Laboratori Kombëtar i Los Alamosit, raporton Bloomberg, transmeton KOHA.

Shifra është më shumë se dyfish më e lartë sesa ajo që Organizata Botërore e Shëndetit dhe autoritetet e tjera të shëndetit publik raportuan në muajin shkurt. Rezultatet e ekipit janë specifike për shpërthimin në Kinë. Dhe në rast se qëndrojnë edhe për vendet e tjera të botës, atëherë pandemia mund të jetë më e vështirë për t’u kontrolluar nga sa ishte modeluar nga disa autoritete.

Në shkallën e përhapjes së llogaritur në studim, rreth 82 për qind e popullatës do të duhet të jetë imune, qoftë përmes një vaksine ose për shkak se do ta kishin sëmundjen, në mënyrë që të ndalonin përhapjen e virusit, ka bërë të ditur ekipi i Los Alamos, tranbs.

Pa një mbrojtje të tillë, nivele të larta të distancës sociale do të jenë të nevojshme nëse më shumë se një nga çdo pesë personat bartës të virusit është i diagnostikuar, thanë autorët e studimit.

Ndërkohë qeveritë në të gjithë botën po përpiqen që të kuptojnë se kur dhe si të dalin nga javë të bllokimit, sidomos pasi që disa pjesë të Kinës tanimë i kanë rishikuar kufizimet. Dhe për këtë ka reaguar vetë OBSH-ja.

“Të mendosh se jemi afër pikës së fundit do të ishte e rrezikshme”, ka thënë Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, gjatë konferencës së të mërkurës për media.

OBSH-ja ka bërë të ditur se një përpjekje e përtërirë për të testuar pacientët, për t’i izoluar ata dhe për të gjetur gjurmët e kontakteve të tyre të ngushta do të jetë e nevojshme, pasi që vendet gradualisht po i zbusin kufizimet në jetën publike.

Raporti i Los Alamos, i botuar në revistën “Sëmundjet Infektive në Zhvillim”, përdori të dhënat e lëvizjeve përmes telefonave celularë dhe raportet e rasteve të koronavirusit jashtë epiqendrës së hershme, në krahinën kineze Hubei, për të llogaritur përhapjen e tij. “Gjithsesi, rënia kohëve të fundit e rasteve të konfirmuara në Kinë dhe në Korenë e Jugut, sidomos gjatë marsit, tregon se virusi mund të frenohet”, thuhet në raport.