Megjithëse në Kosovë nuk ka ndonjë kopsht zoologjik, “Pylli i Arinjve Prishtina” është vendi i cili për vizitorët ofron një përjetim mjaft të veçantë.
I formuar për qëllime pak më ndryshe nga një kopsht i zakonshëm zoologjik, këtu tani gjenden 19 arinj ndërsa historia e secilit është mjaft e veçantë dhe aspak e këndshme, transmeton KTV.
Në vitin 2012, ata në strehimoren në “Pyllin e Arinjve Prishtina” janë sjellë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe deri atëherë, këta arinj kishin jetuar në kushte të jashtëzakonisht të këqija.
Vendbanimi i tyre ka qenë brenda kafazeve, kryesisht si atraksion nëpër restorante të ndryshme, derisa hapësirë lëvizëse kanë pasur jo më shumë se 3m2.
Për më shumë se pesë vjet, arinjtë jetojnë siç e meritojnë, kanë trajtimin e duhur dhe kushte shumë të mira.
Rregullisht, arinjve u bëhen edhe kontrollet e nevojshme, përfshirë këtu edhe ato të përgjithshme të cilat u bëhen një herë në vit.
Arinjve, në vendet ku kanë qenë të izoluar deri para se t’i sillnin në “Pyllin e arinjve Prishtina”, u është dhënë ushqim jo adekuat, madje edhe pije alkoolike. Kjo ka bërë që gjendja shëndetësore e të jetë shumë e rëndë.
Fatin e keq e kishte edhe Tomi, ariu i cili po ekzaminohej kur ne ishim aty. Atij ndër vite i është dhënë alkool në vendin ku kishte jetuar paraprakisht dhe si pasoj e kësaj, ai ka pasur dëmtime të mëdha të mëlçisë.
Por, nuk është vetëm ariu Tomi të cilit i është përmirësuar dukshëm gjendja shëndetësore.
Duhet theksuar që të gjithë vizitorët e “Pyllit të Arinjve Prishtina” duhet të kujdesen për gjendjen e tyre shëndetësore. Kjo mund të bëhet duke mos u ofruar ushqim dhe pije, për shkak se ata kanë trajtimin sipas programit të përpiluar nga veterinarët dhe ekspertët e kësaj fushe.
“Pylli i Arinjve Prishtina” është i hapur çdo ditë për të gjithë vizitorët.