Specat e djegës mund të jenë erëza më e rëndësishme e jetës, sipas një studimi të ri.
Shoqata Amerikane e Zemrës e ka lëshuar një deklaratë për media përmes së cilës bënë të ditur që, sipas hulumtimeve të realizuara së fundmi e të cilat do të prezantohen kah fundi i javës, në një konferencë virtuale të titulluar “Scientific Sessions 2020”, specat e djegës kontribuojnë në zgjatjen e jetës së njeriut, transmeton Koha.
Sipas hulumtimeve të para është zbuluar se konsumuesit e specave të zakonshëm të djegës, mund të kenë jetëgjatësi më të madhe për shkak të vetive shëruese të këtyre perimeve. Speci i djegës shquhet si anti-inflamator, antioksidant, antikanceroz dhe ndihmon në balancimin e glukozës në gjak.
Këta faktorë luajnë rol kyç në zvogëlimin e rrezikut të një personi, për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare apo kanceri.
Hulumtuesit të cilët kanë arritur në këtë vendim i kanë analizuar rreth 4.728 studime, që lidhen me specat djegës dhe sëmundjet e lartpërmendura.
Më shumë se 570 mijë të dhëna shëndetësore janë inkuadruar në këto studime, ku përfshiheshin njerëz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italian, Kina dhe Irani. Kandidatët të cilët kanë ngrënë speca të djegës rregullisht kishin ulje relative prej 26 për qind të vdekshmërisë kardiovaskulare, 23 për qind të vdekshmërisë nga kanceri dhe 25 për qind ulje të vdekshmërisë nga sëmundjet e përgjithshme.
Prandaj besohet se faktorët dietik luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm të njeriut.
Edhe pse ka të dhëna që tregojnë se konsumuesit e specave djegës janë më pak të rrezikuar të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare ose kanceri, megjithatë nuk mund të përcaktohet me siguri që këto perime pikante janë përgjegjësit e vetëm apo kontribuojnë sigurt në jetëgjatësinë e njeriut.