Kompania farmaceutike e Gjermanisë, “CureVac”, do të bëhet e dyta pas rivalit “BioNTech” që nis testimet njerëzore të një vaksine eksperimentale kundër koronavirusit që pritet të marrë miratimin në mesin e vitit 2021.
Në fazën e testimeve do të marrin pjesë 144 pacientë në Gjermani dhe Belgjikë.
Rezultatet e para do të publikohen në muajt shtator ose tetor. Rregullatori gjerman për vaksina ka njoftuar se nëse rezultatet e testimeve janë të mira, atëherë është i mundshëm që në fillim të vitit 2021 të nisë edhe përdorimi i gjithmbarshëm i vaksinës, transmeton KOHA.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 11 vaksina eksperimentale janë duke u testuar aktualisht te njerëzit.
Të hënën, Qeveria gjermane prezantoi një marrëveshje për marrjen e 23 për qind të aksioneve të “CureVac” me qëllim që kompania të ndihmohet me 300 milionë euro.