Lifestyle

Kafeja mund ta zvogëlojë rrezikun nga sindroma metabolike

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për kafenë e parë në mëngjes apo një dozë shtesë gjatë ditës, shumë njerëz thjesht nuk mund ta imagjinojnë ditën pa kafe. Në të njëjtën kohë, një numër gjithnjë e më i madh i hulumtimeve sugjeron që një filxhan kafe mund të sjellë shumë përfitime shëndetësore.

Hulumtimet e fundit kanë zbuluar që konsumimi i kafesë prej një deri në katër filxhanë në ditë shoqërohet me një rrezik të zvogëluar të sindromës metabolike.

“Sindroma metabolike është një grup çrregullimesh metabolike që i përfshin disa faktorë rreziku, siç janë presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe niveli i lartë i sheqerit në gjak”, shpjegoi specialistja e mjekësisë interne në spitalin St. Joseph në Orange në California, Seogeun Naomi Hong.

Sindromën metabolike vlerësohet se e kanë më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën, shkruan Koha Ditore. Jeta me këtë sindromë mund ta rrisë rrezikun e problemeve kardiovaskulare, përfshirë sëmundjen koronare të zemrës dhe sulmin në tru.

Polifenolet në kafe janë thelbësore

Instituti për informata shkencore për kafenë (ISIC) i prezantoi rezultatet e hulumtimit të vet në konferencën e 13-të Evropiane të të ushqyerit, të organizuar nga Federata e shoqatave evropiane të të ushqyerit (FENS) në Dublin.

Profesori në Universitetin Catania dhe autori i studimit Giuseppe Grosso e ka bërë hulumtimin në Poloni dhe Itali. Hulumtimi i Gross sugjeron që polifenolet që gjenden në kafe, veçanërisht acidet fenolike dhe flavonoidet, janë vendimtare për uljen e rrezikut prej sindromës metabolike.

Përveç kësaj, konsumi i moderuar i kafesë e uli rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit të tipit 2.

Hulumtimet e mëparshme

Shelley Wood, dietologe klinike në Qendrën Mjekësore në Santa Clara Valley në California, tha që ky hulumtim i mbështet hulumtimet e mëparshme.

“Në studimet që e hulumtojnë kancerin është treguar se polifenolet në kafe e ngadalësojnë ose pengojnë rritjen e qelizave kancerogjene në hulumtimet e kryera në kafshë”, tha Wood.

Ajo thotë se të njëjtat polifenole në kafe mund të veprojnë gjithashtu si një antioksidant, i cili e zvogëlon inflamacionin dhe stresin oksidues, dhe mund të veprojë si antidepresant.