Bananet zakonisht janë ushqimi më i mirë për t’u konsumuar para stërvitjeve, por çfarë nëse ju themi se frutat duhet t’i ruani në çantën e palestrës, për t’i ngrënë pas shpenzimit të energjisë në fitnes?
Sipas këshillave të disa ekspertëve të sportit, rezulton se bananet i përmbajnë disa lëndë ushqyese kryesore që janë thelbësore për rikuperimin pas stërvitjes.
Bananet konsiderohen si një karbohidrate e thjeshtë ose me tretje të shpejtë, e cila është e përkryer për konsum pas stërvitjes, thotë Amy Goodson, specialiste e certifikuar në dietat sportive dhe anëtare e bordit të ekspertëve mjekësorë.
Gjatë stërvitjes, trupi juaj e djeg sheqerin si burim energjie dhe sa më gjatë dhe më fort të stërviteni, aq më shumë sheqer digjni. Ky sheqer vjen nga ajo që keni ngrënë para stërvitjes, por ndërsa ushtroheni, trupi juaj do të fillojë të shpërbëjë glikogjenin (ose karbohidratet e ruajtura) nga mëlçia dhe muskujt, për të ndihmuar në mbajtjen e sheqerit në gjak të qëndrueshëm dhe për të siguruar energji për muskujt që punojnë.
Pas stërvitjes, glikogjeni duhet të rimbushet. Përafërsisht 90 për qind e karbohidrateve që konsumohen menjëherë pas stërvitjes shkojnë për të rimbushur rezervat e glikogjenit, prandaj kjo është arsyeja pse karbohidratet e thjeshta rekomandohen brenda dy orëve pas stërvitjes.
Karbohidratet e thjeshta mund të gjenden në ushqime si frutat dhe perimet, por gjithashtu mund në produkte më të përpunuara, si karamelet, produktet e pjekura dhe pijet e gazuara. Ngrënia e një bananeje pas stërvitjes është zgjidhja e përkryer, sepse kjo frutë nuk është e përpunuar dhe përmban vitamina dhe lëndë ushqyese të dobishme. Bananet gjithashtu ofrojnë rreth 30 gram karbohidrate për të ndihmuar në rimbushjen e rezervave të glikogjenit.
Kombinojeni bananen me një burim proteinash pas stërvitjes, për të ndihmuar në përpjekjet tuaja për ndërtimin e muskujve dhe djegien e yndyrës.
Kur konsumoni karbohidrate, trupi juaj prodhon insulinë, e cila vepron si një çelës në atë që zhbllokon qelizën dhe i lë lëndët ushqyese nga gjaku në qelizë për energji. Ndërsa qelizat janë natyrisht më të ndjeshme ndaj marrjes së glukozës (sheqerit) dhe aminoacideve (proteina) pas stërvitjes, konsumimi i karbohidrateve me proteina shkakton prodhimin e insulinës dhe mund t’i ndihmojë muskujt ta përthithin glukozën dhe aminoacidet në gjak për rikuperim.
Në përgjithësi, bananet përmbajnë elementë të rëndësishme si karbohidrate, antioksidantë, kalium dhe proteina me cilësi të lartë, çka e ndihmojnë trupin të rikuperohet pas stërvitjes.