Ndërsa inteligjenca artificiale po ndërhyn pothuajse në çdo aspekt të jetës– nga puna tek argëtimi – lind pyetja: a është dikush që nuk është i entuziazmuar për këtë revolucion teknologjik? Përgjigjja duket se është po, dhe frika nga dominimi i AI-së po bëhet gjithnjë e më e pranishme, veçanërisht te brezat e rinj.
Scott Anthony, profesor në Kolegjin Dartmouth, ka thënë se po vëren gjithnjë e më shumë një ndjenjë frike, në vend të entuziazmit, tek studentët për të ardhmen e inteligjencës artificiale.
“Një nga gjërat që më habit vazhdimisht është sa të frikësuar janë studentët tanë nga përdorimi i tyre”, ka theksuar Anthony për platformat e AI-së. Ai shtoi se kjo frikë nuk lidhet vetëm me shqetësime akademike të zakonshme si kopjimi, por me një frikë më të thellë për humbjen e aftësive të të menduarit kritik duke ia deleguar detyrat një makinerie. Studentët, sipas tij, janë “plotësisht të tmerruar”.
“Ka diçka te inteligjenca artificiale që i bën njerëzit, mendoj unë, të shqetësohen se do ta humbasin njerëzoren e tyre nëse mbështeten shumë tek ajo”, shpjegoi Anthony, raportoi Index.
“Historia më mëson shumë qartë se, në mes të këtij lloj ndryshimi, gjithçka është shumë kaotike.”
Edhe
Gordon-Levitt: Duhet të shqetësohemi për njerëzit që zhvillojnë inteligjencën artificiale
Hendek brezash në perceptim
Profesori e krahasoi ankthin e studentëve me entuziazmin e kolegëve të tij pedagogë, të cilët kryesisht janë të etur të provojnë mjetet më të fundit të AI-së. Arsyeja për këtë dallim nuk është e vështirë të kuptohet – ndërsa profesorët kanë vende pune të sigurta në universitete elitare, studentët që sapo hyjnë në tregun e punës përballen me një të ardhme shumë më të pasigurt në mes të shpërthimit të inteligjencës artificiale.
Shkenca konfirmon frikën
Shqetësimet e studentëve se përdorimi i tepërt i AI-së mund t’i bëjë ata më pak inteligjentë nuk janë të pabaza. Një studim ndau pjesëmarrësit në tre grupe që kishin për detyrë të shkruanin ese: një grup përdori modele të AI-së si chatbote, një tjetër përdori motorë të zakonshëm kërkimi në internet, dhe grupi i tretë ishte “vetëm-truri”.
Krahasuar me të tjerët, studiuesit zbuluan se grupi që përdori chatbote e kishte më të lehtë të shkruante esetë, por kjo “erdhi me një kosto, duke reduktuar prirjen e përdoruesve për të vlerësuar në mënyrë kritike rezultatin nga chatbotet”. Në thelb, përdoruesit e AI-së kishin më shumë gjasa të pranonin informacionin pa reflektim kritik.
Edhe
10 ditët që ndryshuan rrjedhën e inteligjencës artificiale
Nga ana tjetër, pjesëmarrësit në grupin “vetëm-truri” treguan aftësi më të mëdha të të menduarit.