Hulumtimet e reja tregojnë se personat që jetojnë vetëm janë më të shëndetshëm se ata që jetojnë në bashkësi me dikë.
Deri më tani shkencëtarët kanë konsideruar se njerëzit që janë të martuar kanë gjendje më të mirë shëndetësore. Kjo do të nënkuptonte se me të hyrë në martesë njerëzit bëhen më të shëndetshëm, ndërsa ata që janë të vetëm ose të shkurorëzuar bëhen më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Megjithatë, ekspertët besojnë se nuk ka dëshmi të besueshme për këto pretendime, dhe kanë vendosur ta bëjnë një studim të ri në drejtim të kundërt, transmeton koha.net.
Në një studim të ri morën pjesë më shumë se 79.000 femra, të cilat u studiuan gjatë 3 vjetëve. Bëhet fjalë për femra të martuara, ato që jetojnë vetëm dhe ato që janë të shkurorëzuara në moshën 50 deri në 79 vjeç. Gjatë studimit, është matur presioni i gjakut, perimetri i belit dhe BMI (indeksi i masës trupore). Këto matje u plotësuan me raportet e pjesëmarrësve për shprehitë e tyre të pirjes së duhanit, pijeve alkoolike, stërvitjeve dhe shprehive të ushqyerjes.
Këto janë rezultatet e hulumtimit të femrave të pamartuara të cilat u martuan me kalimin e kohës:
• BMI-ja e femrave të martuara u rrit pas martesës.
• Femrat e martuara pinë më shumë (alkool).
• Pas hyrjes në martesë është rritur presioni sistolik i gjakut.
• Presioni diastolik i gjakut u ul gjatë periudhës trevjeçare tek femrat që kishin mbetur të vetmuara, por edhe tek ato të martuara, vetëm se tek ato ishte një zhvendosje më e vogël.
Rezultatet e femrave të shkurorëzuara:
• BMI-ja e tyre u zvogëlua, ashtu si edhe beli i tyre.
• Presioni diastolik i gjakut po ashtu u zvogëlua, por ai sistolik mbeti pothuajse i njëjtë.
• Femrat e shkurorëzuara hanë ushqim më të shëndetshëm.
• Është vërejtur rritja e aktivitetit fizik.
Femrat të cilat para shkurorëzimi nuk pinin duhan, filluan të konsumonin herë pas here produkte duhani. Megjithatë, ato që pinin duhan përpara, pas shkurorëzimi ndaluan, ashtu si edhe ato që mbetën të martuara.
Kur i përmbledhim të gjitha rezultatet, femra që kanë qenë të shkurorëzuara ose kanë mbetur vetëm, e kanë një mënyrë më të shëndetshme jetese.
Ekspertët shpjegojnë se arsyeja është se njerëzit e martuar rrinë së bashku për ta ndarë ushqimin, gjë që çon në konsumin e sasive të mëdha të ushqimit. Në kontrast, studiuesit nuk gjetën lidhje midis femrave të pamartuara dhe sasive më të vogla të alkoolit dhe presionit të ulët të gjakut. Ata supozojnë që femrat e pamartuara shqetësohen më shumë për shëndetin e tyre dhe më lehtë i mbeten besnike planit të tyre. Humbjen e peshës tek femrat e shkurorëzuzara ata e lidhin me pasojat e stresit.