Fëmijët nën moshën gjashtë vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, përfshirë televizorin, në mënyrë që të shmanget dëmtimi i përhershëm i zhvillimit të trurit të tyre, kanë thënë ekspertët mjekësorë francezë, raportoi të enjten “The Guardian”.
Duke bërë thirrje për një rishikim urgjent të politikave publike për të mbrojtur brezat e ardhshëm, ata kanë thënë se ekranet në çfarëdo forme nuk i plotësojnë nevojat e fëmijëve.
“Më keq akoma, ato pengojnë dhe ndryshojnë zhvillimin e trurit, duke shkaktuar ndryshim të qëndrueshëm në shëndetin dhe kapacitetet e tyre intelektuale”, kanë thënë ata.
Rekomandimet aktuale në Francë janë që fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve para moshës tre vjeçare dhe t’i përdorin vetëm herë pas here midis moshës tre dhe gjashtë vjeç në prani të një të rrituri.
“As teknologjia e ekranit dhe as përmbajtja e saj, përfshirë të ashtuquajturën përmbajtje ‘edukative’, nuk janë të përshtatura për një tru të vogël në zhvillim”, thuhet tutje nga këta ekspertë.
Sipas tyre, çdo ditë profesionistët e shëndetit dhe mësuesit e parashkollores vërejnë dëmin e shkaktuar nga ekspozimi i rregullt ndaj ekraneve përpara se fëmijët të hyjnë në shkollën fillore: vonesë në të folur, mungesë vëmendjeje e probleme me kujtesën.
Ekspertët sugjerojnë se ekspozimi i rregullt ndaj ekraneve - sado i shkurtër - ka pasur gjithashtu efekt negativ në zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve.
Alternativat për ta zëvendësuar kohën para ekranit përfshijnë leximin me zë të lartë, lojën e lirë, lojërat në tavolinë ose lojërat në natyrë, aktivitete fizike, krijuese dhe artistike.