Lifestyle

Delta ndryshoi simptomat e COVID-19: Kokëdhembje, teshtitje e dhimbje fyti

Profesori Tim Spector, i cili ka udhëhequr studimin “Zoe Covid Symptom”, ka thënë për BBC-në se varianti Delta mund të veprojë tek të rinjtë si një lloj “ftohjeje e fortë”. Megjithëse mund të mos ndihen shumë të sëmurë, ata mund të jenë të infektuar dhe të rrezikojnë edhe të tjerët përreth. Ky variant i koronavirusit po bëhet përherë e më dominues në të gjithë botën

Kokëdhembja, teshtitja dhe dhimbja e fytit janë simptomat më të zakonshme që ndërlidhen me infeksionin nga varianti Delta të koronavirusit, kanë bërë të ditur ekspertët shëndetësorë.

Profesori Tim Spector, i cili ka udhëhequr studimin “Zoe Covid Symptom”, ka thënë për BBC-në se varianti Delta mund të veprojë tek të rinjtë si një lloj “ftohjeje e fortë”.

Megjithëse mund të mos ndihen shumë të sëmurë, ata mund të jenë të infektuar dhe të rrezikojnë edhe të tjerët përreth. Ky variant i koronavirusit po bëhet përherë e më dominues në të gjithë botën.

Delta është identifikuar fillimisht në Indi dhe konsiderohet të jetë 50 për qind më i përhapur sesa varianti fillestar i virusit. Andaj ekspertët kanë sugjeruar se kushdo që përballet me simptomat si kokëdhembja, teshtitja dhe dhimbja e fytit të bëjnë një test për koronavirus. Këto simptoma dallojnë prej atyre fillestare që përfshinin ngritjen e temperaturës trupore, kollën si dhe humbjen e shqisave të shijimit dhe nuhatjes.

Profesor Spector thotë se tani po vërehen përherë e më pak këto simptoma, bazuar në të dhënat që ekipi i studimit të tij ka mbledhur nga mijëra njerëz që kanë regjistruar simptoma.

“Që nga fillimi i majit kemi ndjekur ato që kanë shkruar përdoruesit e aplikacionit tonë dhe bazuar në këtë kemi arritur në përfundimin se ato nuk janë të njëjtët si më parë”, ka thënë ai për BBC-në.

Ndryshimi i simptomave ndërlidhet me llojin Delta, i cili mbahet përgjegjës për infektimin e rreth 90 për qind të pacientëve në Britaninë e Madhe, gjatë muajve të fundit. Megjithëkëtë, ethet vazhdojnë të jenë simptomat më të zakonshme përderisa humbja e shqisës së shijimit dhe të të nuhaturit tani nuk renditen as mes dhjetë të parave, ka thënë profesori.

“Duket se ky variant po funksionon pak më ndryshe. Rreziku prej tij është se njerëzit mund të mendojnë se po kalojnë nëpër një lloj ftohjeje sezonale dhe të dalin e të përhapin infeksionin. Mendojmë se ky lloj sjell shumë probleme. Ç’është e vërteta, mesazhi është se nëse jeni i ri do të keni simptoma më të lehta, sigurisht. Do të ndiheni sikur keni një ftohje të keqe ose ndonjë ndjenjë të çuditshme, kështu që qëndroni në shtëpi dhe bëni testin”, ka sugjeruar Spector.

Rezultate të ngjashme për sa u përket simptomave të reja ka prezantuar edhe Kolegji Mbretëror i Londrës, nga studimi “Riekt”, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se një milion njerëz në Angli. Shumica e tyre ishin të infektuar me variantin Alpha, të identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe. Sipas studimit, diapazoni i simptomave të këtij varianti është edhe më i gjerë.

“Dridhjet, humbja e oreksit, dhimbjet e kokës dhe dhimbjet e muskujve janë simptomat më të zakonshme, së bashku me këto të mëhershmet”, ka treguar studimi, raporton BBC.

“Ekzistojnë edhe disa simptoma që ndërlidhen me COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kolegjit. “Të tjerat simptoma kanë shkak tjetër dhe nuk paraqesin arsye që të bëhet një test për COVID-19. Po qe se jeni të shqetësuar për simptomat, kërkoni këshilla mjekësore”, thuhet tutje në njoftim.