Imuniteti i tufës rëndom paraqitet si një përllogaritje e thjeshtë matematikore, por arritja e tij nuk është aspak punë e lehtë. Të kuptuarit se si funksionon imuniteti i gjithmbarshëm është, megjithëkëtë, thelbësor për kthimin në normalitetin e pas COVID-it
Me gjithë vaksinimet, rastet e infektimit me koronavirus vazhdojnë të rriten në të gjithë globin, nisur nga Mbretëria e Bashkuar, India dhe Rusia e deri në Malajzi.
Megjithëse ekspertët në Gjermani tani po flasin për një valë të afërt të katërt, shumë njerëz duan që të dinë njëherë e përgjithmonë: “Kur do të mbarojë e gjithë kjo?”.
Që nga fillimi i pandemisë, termi “imunitet i tufës” ka simbolizuar pikën në të cilën mjaftueshëm njerëz do të bëhen imunë ndaj koronavirusit, ashtu që të mund të rikthehen përqafimet, të lehtësohen punonjësit e tejngarkuar të kujdesit shëndetësor dhe t'i thuhet lamtumirë sëmundjes COVID-19, ka raportuar gjermania Deutsche Welle.
Por çfarë është pikërisht ky “gral i shenjtë” i mjegullt dhe pse përherë duket sikur të jetë i paarritshëm?

Shpjegimi i imunitetit të tufës?
Adam Kleczkowski, profesor i matematikës në Universitetin e Strathclyde në Skoci, e krahason “imunitetin e tufës” me një zjarr pylli që shpërthen nga druri i thatë. Kur nuk mbetet edhe shumëçka për të djegur, zjarri ngelet pa karburant dhe zhduket. Kur mjaftueshëm njerëz bëhen rezistues ndaj koronavirusit, qoftë nëpërmjet infektimit apo vaksinimit, virusi nuk mund të përhapet më dhe pandemia ndalon të rritet dhe fillon të bjerë, ka shpjeguar ai për DW.
Përqindja e nevojshme e personave të imunizuar për ta arritur këtë nivel përqendrohet te numri riprodhues (R). Ky është numri mesatar i personave që një i infektuar ua bart sëmundjen të tjerëve në një moment të caktuar. Kur numri R është nën 1, që do të thotë kur një person i infektuar nuk ka të ngjarë të infektojë më shumë se një person tjetër, sëmundja fillon të ngelet pa karburant dhe të vdesë.
“Mund ta arrijmë duke pritur mjaftueshëm gjatë, ashtu që shumica e njerëzve në një shoqëri infektohen apo duke qëndruar larg shoqërisë dhe në izolim të përhershëm, apo duke i vaksinuar mjaft njerëz”, ka thënë Kleczkowski për DW-në. “Gjëja thelbësore për të kuptuar është se jo të gjithë duhet të jenë imunë - ekziston një pikë në të cilën mjaftueshëm njerëz janë të imunizuar asisoj që zjarri të mos mund të përhapet më”, ka shtuar ai.
Në fillim të pandemisë, shkencëtarët vlerësonin se shifra për arritjen e imunitetit të fundit ishte 60 deri në 70 për qind. Por përgjatë një vitit e gjysmë me pandemi, caku ka ndryshuar. Së fundi, ekspertët kanë theksuar se përqindja e nevojshme është afro 80 apo edhe 90 për qind.
Kjo si rezultat i disa arsyeve.
Variantet paraqesin problem
Një prej arsyeve është se ky numër kritik varet nga fakti se sa infektues është një virus - sa shpejt përhapet.
Për fruthin, i cili është shumë infektues, kjo përqindje është 95 për qind por për gripin mund të jetë edhe më i ulët se 35 për qind
Në fillim të shpërthimit, DW-ja raporton se numri R për rastin e koronavirusit ishte llogaritur të ishte midis 2.5 dhe 3. Por sa më tepër që shfaqen variantet më infektive të virusit, ai bëhet më i bartshëm.
Varianti Delta, i cili ishte shfaqur fillimisht në Indi, është rreth 64 për qind më infektues se varianti Alpha (nga Kenti), i identifikuar së pari në Britani të Madhe, i cili veçse është 50 për qind më bartës se varianti origjinal i koronavirusit që u përhap nga Kina.
Sa më shpejt që përhapet virusi, aq më shumë imunitet nevojitet për ngadalësimin e shkallës së infeksionit. “Kjo gjë e rrit këtë numër. Mund të na duhet deri në 85 për qind imunitet për ta ngadalësuar variantin Delta”, ka thënë Kleczkowski për Deutsche Welle. Por ai ka theksuar se përqindjet e tilla janë vetëm vlerësime.
“Ato bazohen në të dhëna të kufizuara. Nuk është ende plotësisht e qartë se në cilën përqindje duhet të arrijmë”.
Vaksinimi esencial për imunizim
Kaja Abbas, asistent profesor për modelimin e sëmundjeve në Shkollën londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, ka theksuar se vaksinimi është thelbësor për arritjen e imunitetit të tufës.
“Imuniteti i tufës nëpërmjet vaksinimit është shtegdalja e përkryer”, ka thënë ai për DË. “Imuniteti i tufës nëpërmjet infeksionit natyror do të prodhojë humbje kolosale të jetëve njerëzish si dhe vuajtje”.
Një studim i kohëmëparshëm i kryer në Izrael ka treguar se vaksina jo vetëm që ka qenë e suksesshme në mbrojtjen e individëve të vaksinuar nga sëmundja serioze, por edhe në uljen e ndjeshme të bartjes së virusit.
Ky nivel i imunitetit kërkon që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë të vaksinohet, ka thënë Abbas, në atë që gjithashtu e nënkupton nevojën për ta siguruar administrimin e vaksinave në mënyrë të barabartë në të gjithë globin.
“Nuk jemi të sigurt derisa të gjithë - kudo - të jenë të sigurt”, ka shtuar Kleczkowski.
Derisa Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara po i afrohen vaksinimit të plotë të 50 përqindëshit të popullsive të tyre dhe Izraeli afër 60 përqindëshit, pak më shumë se 3 për qind e njerëzve në Indi dhe 11 për qind e popullsisë në Brazil deri më tani kanë marrë të dyja dozat e vaksinave - dy vende këtu me më shumë se 350.000 të vdekur nga COVID-19.
Për më tepër, njerëzit mund po ashtu të kenë nevojë që të rivaksinohen me një dozë të tretë apo edhe të katërt për t’u mbrojtur nga variantet e reja të virusit, ka shkruar DË.
Normalja e re
Kalkulimet matematikore të imunitetit të tufës gjithashtu nuk janë në gjendje që ta marrin parasysh ndërlikueshmërinë e sjelljes njerëzore. Kur një shifër e caktuar e imunitetit të arrihet, mund të ndodhë që masat e kontrollit, si bartja e maskave, distancimi fizik dhe mbyllja e kufijve të zbuten, dhe si rezultat, shpërthime të reja të rasteve të shfaqen dhe imuniteti i tufës të humbet.
Për të këtilla arsye, Kleczkowski thotë se përcaktimi i imunitetit të tufës nëpërmjet një shifre konkrete “nuk është i dobishëm”.
“Në vend që të përqendrohemi nëse arrijmë imunitet prej 70 ose 80 për qind të popullatës, është më e dobishme të mendojmë për imunitetin e tufës si një proces i shuarjes së virusit për ta eliminuar atë përfundimisht”, ka thënë Kleczkowski për agjencinë gjermane. Kjo, sipas tij, nuk do të thotë se duhet ta lëmë virusin të depërtojë nëpër bashkësi ose që të jetohet në një izolim të rreptë pafundësisht.
Në vend të kësaj, ai e rekomandon mbajtjen në fuqi të një kombinimi të masave të kontrollit, si testimi i vazhdueshëm dhe bartja e maskave në vendet ku normat e infeksionit janë të larta. Krejt kjo bashkë me vaksinimin e përhapur dhe rivaksinimin në përgjigje të varianteve të reja.
Edhe nëse bota nuk mund ta çrrënjosë tërësisht koronavirusin - gjë kjo që është arritur vetëm një herë më parë me linë – ekspertët si Abbas dhe Kleczkowski thonë se vaksinat do të mbrojnë njerëzit nga efektet më të rënda të COVID-19, po qe se infeksionet vazhdojnë të shpërthejnë edhe në të ardhmen.
Përktheu: N. LL