Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Arsyet pse duhet të flini në dhomë të ftohtë

Pavarësisht nëse ju pëlqen të mbuloheni me disa batanije apo të flini vetëm në dyshek të pambuluar, nuk ekziston mënyra e drejtë për të fjetur. Por nëse po përpiqeni ta mbani një peshë të shëndetshme, atëherë kjo mënyrë mund të ekzistojë: hulumtimi tregon se fjetja në dhomë të ftohtë mund të ndihmojë në nxitjen e metabolizmit tuaj dhe t'ju bëjë të digjni më shumë kalori, madje edhe gjatë ditës.

Kur keni qenë fëmijë, i keni pasur dy lloje të yndyrës. Yndyra e bardhë është ajo që zakonisht e imagjinoni kur mendoni për yndyrën: ajo i akumulon kaloritë. Kjo është pak a shumë e gjitha që bën. Në kontrast, yndyra ngjyrë të kafenjtë është ajo që do ta quanit metabolikisht aktive; ajo djeg kalori për të gjeneruar ngrohje. Foshnjat nuk e kanë zhvilluar ende aftësinë për t’u dridhur, kështu që ato kanë nevojë për një mënyrë tjetër për të qëndruar ngrohtë – yndyra ngjyrë kafe në këtë rast del në ndihmë. Pasi që të bëheni më të vjetër dhe të keni gjetur mënyra të tjera për ta mbajtur temperaturën tuaj të trupit, e keni humbur shumicën e yndyrës tuaj ngjyrë kafe. Një tjetër e vërtetë e pikëllueshme e të qenit njeri.

Por një studim i vitit 2014 i publikuar në revistën “Diabetes” sugjeroi se mund t’i rritni nivelet e yndyrës ngjyrë kafe në trup duke fjetur në një mjedis të ftohtë. Hulumtuesit i rekrutuan pesë vullnetarë të shëndoshë meshkuj për të fjetur në dhoma me temperatura të kontrolluara tek Institutet Kombëtare të Shëndetësisë për katër muaj (atyre u ofruan edhe rroba dhe çarçafë spitalorë - çfarë luksi!). Hulumtuesit e mbajtën të kontrolluar konsumimin e kalorive të të anketuarve duke ua ofruar të gjitha ushqimet. Gjatë muajit të parë, meshkujt fjetën në një temperaturë neutrale prej 24 gradë Celsius. Muajin vijues, temperatura u caktua në 19 gradë Celsius, pastaj u rivendos në neutrale për një muaj. Muajin e fundit e kaluan duke fjetur në një temperaturë të nxehtë prej 27 gradë Celsius.

Temperaturat e ftohta e kishin një efekt të madh në trupat e meshkujve. Pas një muaji të fjetjes në temperaturë të ftohtë, meshkujt gati i dyfishuan rezervat e tyre të yndyrës ngjyrë kafe, gjë që ndihmoi në përmirësimin e ndjeshmërisë së tyre ndaj insulinës - një masë kjo që ndikohet nga ndryshimet në sheqerin në gjak dhe përdoret përgjithësisht si shenjë e shëndetit metabolik. Ata madje djegën më shumë kalori gjatë ditës. Por sapo erdhën përmirësimet, ato lehtësisht u zhbënë: muaji i fjetjes në temperaturë të ngrohtë e zvogëloi yndyrën e tyre ngjyrë kafe në nivelet para eksperimentimit. Me gjithë këtë, ky është një lajm i mirë. Për ta nxitur metabolizmin tuaj, mund të nevojitet vetëm një muaj gjumë në temperaturë të ftohtë.