Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

A është e mundur që shpargulli të lidhet me kancerin

Interneti është çmendur për shkak të konkludimeve befasuese të studimit të ri. Publikimi i një studimi të ri në revistën prestigjioze “Nature”, i cili e lidh asparaginën me përhapjen e një forme agresive të kancerit të gjirit në minj, e ngriti në këmbë internetin. Të gjithë befas po e pyesin veten nëse duhet hequr dorë në mënyrë preventive nga shpargulli i cili e përmban këtë aminoacid të diskutueshëm natyror.

Përgjigjja e duhur është pak më komplekse sesa histeria dhe leximi sipërfaqësor. Fillimisht, studimi është kryer në minj, ndërsa zhvillimi i sëmundjeve në kafshë dhe njerëz nuk përputhen domosdomërisht gjithmonë. Për më tepër, nuk është përcaktuar aspak se asparagina shkakton kancer, madje edhe në minj. U zbulua vetëm se ky aminoacid e përshpejton përhapjen e kancerit, jo se e shkakton atë.

Përgjigja në pyetjen për heqjen dorë nga shpargulli është – nevojiten hulumtime të mëtejshme. Nëse ato tregojnë se shpargulli e ka të njëjtin efekt tek njerëzit, atëherë kjo mund të çojë në mënyra të reja për ta shëruar kancerin e gjirit.

Ndonjë studim i ri mund të tregojë ndoshta mënyra për ta bllokuar prodhimin e asparaginës në trupin e njeriut, ose pacientët ndoshta mund ta kufizojnë sasinë e saj në dietën e përditshme.

Asparagina si një përbërës kimik i gjetur në trup gjendet edhe në shpargull, por gjithashtu në disa ushqime të tjera. Disa ushqime të pasuruara me proteina (si mishi i viçit, i shpezëve, vezët, peshqit, produktet e qumështit dhe disa ushqime deti) gjithashtu përmbajnë asparaginë, transmeton Koha.net. Ajo është e pranishme edhe në patate, perime, arra, sojë, farëra etj. Nivelet e këtij komponenti janë të ulëta në perime dhe fruta, përveçse në shpargull.

Nuk ka nevojë të ndryshohet dieta, thonë shkencëtarët. “Deri tani nuk ka asnjë dëshmi se kufizimi i disa ushqimeve ndihmon në luftën kundër kancerit, prandaj është e rëndësishme për pacientët që të bisedojnë me mjekët përpara se të vendosin për ndryshimin e ushqimit gjatë shërimit”, thotë Martin Ledwick nga Qendra Kërkimore Britanike për Kancer.

Disa studime të tjera kanë treguar se ndryshimet në ushqim gjithsesi mund të ndikojnë në rritjen e kancerit. Një studim nëntëvjeçar që u përfundua vitin e kaluar ka treguar se sheqeri mund ta stimulojë rritjen e tumorit në qelizat e majës (përsëri jo në qelizat e njeriut). Megjithatë, shkenca shkon përpara dhe hulumtimi në minj mund të jetë i dobishëm në punën e mëtejshme.

Përndryshe, ilaçi për trajtimin e leukemisë me emërtimin L-asparagine e ka potencialin për ta ngadalësuar përhapjen e kancerit të gjirit. Kur minjtë e morën këtë ilaç (i cili e bllokon prodhimin e këtij aminoacidi), u reduktua aftësia e kancerit të gjirit për t'u përhapur në pjesë të tjera të trupit të miut.

“Kur u reduktua aftësia e asparaginës, u pa një efekt i vogël në tumoret primare të gjirit, por u reduktua edhe aftësia e përhapjes së qelizave tumoriale në pjesë të tjera të trupit”, tha Greg Hannon, udhëheqës i studimit në Universitetin e Cambridge.

Kur të mësohet më shumë për ndërveprimin e apsaraginës dhe ilaçeve kimioterapeutike, kjo mund të çojë në një koktej më të suksesshëm për trajtimin e kancerit të gjirit.

Sikur trajtimi i kancerit të ishte vërtet aq i lehtë sa të përjashtojmë diçka nga dieta, shkencëtarët tashmë do ta kishin një përgjigje fitimtare, por ende nuk është kështu.

Artikuj të ngjashëm