Qëndrimi ulur është zakoni i cili duhet të hiqet për të pasur jetë më të gjatë.
Një studim që është bërë në vitin 2018i publikuar në “Journal of the American Medical Association”, ka treguar se shumë njerëz shpenzojnë kohën më të madhe të ditës duke qëndruar ulur. Sipas studimit, ata që qëndrojnë ulur kanë jetë relativisht më të shkurtër se sa ata që kanë aktivitete ditore të çfarëdollojshme.
“Koha e qëndrimit ulur” çdo ditë përfshin çdo aktivitet të kryer në pozicion ulur ose të shtrirë që kërkon pak shpenzime energjie, si puna në laptop, shikimi i televizorit, luajtja e video-lojërave, ngasja e makinës, e madje edhe ngrënia e një vakti.
Në tërësi, mendohet se koha e qëndrimit ulur përbën më shumë se gjysmën e orëve të zgjimit të shumicës së të rriturve.
Qëndrimi ulur për tetë orë ose më shumë çdo ditë përbën rrezikun më të madh. Rezultatet nga një studim i vitit 2023, të botuar në “Journal of Diabetes Research” sugjerojnë gjithashtu se sa më e madhe të jetë koha e qëndrimit ulur, aq më e madhe është mundësia e rezistencës ndaj insulinës.
Rreziqet u rritën ndjeshëm kur koha ditore e qëndrimit tetë orë ose më shumë u shoqërua me pak ose aspak aktivitet fizik.
Një studim i vitit 2021 në revistën “Aging” zbuloi se qëndrimi ulur për tetë orë ose më shumë në ditë e zvogëloi jetëgjatësinë me dy deri në katër vjet, por kjo shifër kërceu në tetë vjet kur u shoqërua me pasivitetin fizik.
Sipas “EatingWell” kjo është një gjë e rëndësishme, duke marrë parasysh sëmundjet e zemrës, sulmet në tru dhe diabetin që renditen vazhdimisht nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve si shkaqet kryesore të vdekjeve në SHBA. Dhe vetëm 1 në 4 amerikanë përmbushin rekomandimet e aktivitetit fizik.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.