I publikuar të martën, raporti i parë i OBSH-së në ndikimin botëror të hipertensionit, ofron rekomandime për përballjen me “vrasësin e heshtur”.
Hipertensioni, i kategorizuar si presion i gjakut me vlerat mbi 140/90 mmHg apo më lartë, prek një në tre të rritur në gjithë botën, sipas raporteve. Zakonisht shpie në një numër të problemeve të tjera shëndetësore, përfshirë goditjen në tru, sulm në zemër e dëmtim të veshkave.
“Hipertensioni mund të kontrollohet efektshëm me regjim të thjeshtë mjekimi me kosto të ulët. Megjithatë ende vetëm një në pesë persona me hipertension e kontrollojnë atë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Shtetet me performancë të lartë, si Kanadaja dhe Koreja e Jugut, kanë nxjerrë programe kombëtare gjithëpërfshirëse për trajtimin e hipertensionit, dhe sipas OBSH-së, të dyja shtetet kanë tejkaluar shifrën e 50 për qind të kontrollit të presionit të gjakut te të rriturit me hipertension.
Rritja e numrit të njerëzve që e trajtojnë hipertensionin në nivele të duhura mund të parandalojë deri 76 milionë vdekje në periudhën 2023 deri 2050, ka thënë OBSH-ja.
Këto masa përfshijnë dietën e shëndetshme, shmangien e alkoolit dhe duhanit, dhe ushtrime të rregullta, sipas raportit. Strategjitë mund të implementohen nëpër shkolla dhe vende pune për të promovuar zgjidhje të jetës më të shëndetshme, thuhet më tej aty.
Një taktikë tjetër është ulja e konsumit të natriumit.
“Shumica e sulmeve në tru dhe zemër sot mund të parandalohen me medikamente të përballueshme, të sigurta dhe të qasshme, dhe intervenime të tjera, si ulja e konsumit të natriumit”, ka thënë Michael Bloomberg, ambasador i OBSH-së.
Konsumimi i sodës varion nga shteti në shtet, por OBSH-ja ka rekomanduar që të konsumohen më pak se 2000 miligramë në ditë. Konsumimi mesatar i kripës në botë është më shumë se dyfishi, 10.8 gramë në ditë, sipas OBSH-së.
Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve rekomandon të konsumohen më pak se 2300 miligramë kripë në ditë. Në mesatare, amerikanët konsumojnë më shumë se 3400 mg në ditë.
Në vitin 2013, të gjitha 194 shtetet anëtare të OBSH-së u zotuan për ulje të konsumit të sodiumit për 30 për qind deri më 2025, por sipas një raporti të lëshuar sivjet, zotimi është përmbushur në vlerën prej vetëm pesë për qind.
Hipertensioni në SHBA prek rreth 32 për qind e njerëzve në moshën prej 30 deri 79-vjeçare.
OBSH-ja ka thënë se hipertensioni dhe komplikimet nga ai, rezultojnë në kosto të mëdha në mbarë botën për pacientët, sistemet e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.