“Jacquemus” në Versajë debutoi me silueta të reja të inspiruar nga Princesha Diana
“Mikro-pantallonat” e shkurtra “bulbous” të markës, referencë e qartë për Princeshën Diana nga viti 1987
Në nëntor të vitit 1973, Pallati i Versajës në Francë pati organizuar një nga shfaqjet më ikonike të modës në histori. Beteja e Versajës, e cila pa disenjatorët amerikanë të sfidonin homologët e tyre francezë, ishte përpjekje për të mbledhur fonde për ta restauruar pallatin. Por nuk solli vetëm para në Versajë. Mediumi prestigjioz “Vogue” shkruan se kjo ngjarje solli jetë të re aty. Të hënën, disenjatori i famshëm francez, Simon Porte Jacquemus, vuri në skenë koleksionin për vjeshtën e këtij viti. E quajti “Le Chouchou”.
Ai ka premtuar se do t’ua sillte Versajën njerëzve në një mënyrë tjetër. Disenjatori Simon ka thënë se kjo ngjarje ka ngjallur tek ai ndjenjë të një lidhjeje të re në mes të brendit “Jacquemus” dhe pallatit. Shfaqja është zgjerim i strategjisë afatgjate për ta ngritur më tej markën “Jacquemus” në hapësirën luksoze, ka thënë shefi ekzekutiv i saj, Bastien Daguzan, në një intervistë të fundit.
“Marka ime është vërtet e lidhur me rininë, prandaj mendoj se Versaja donte që unë ta mbaja këtë spektakël”, ka thënë stilisti.
“Ne donim të tregonim se mund të keni edhe takim këtu ose të vini e të lundroni në varkë dhe mund të jetë e bukur. Jemi ne që tregojmë se nëse të rinjtë duan, ata mund të kenë qasje në të”, ka thënë Daguzan.
Siç e përshkruajnë mediumet prestigjioze të modës, çantat luksoze të dorës në pallatin historik – janë mënyra për ta bërë që e paarritshmja të duket e arritshme. Këtë e bën magjia e “Jacquemusit”.
Dizajneri duke shpjeguar se pse e ka zgjedhur pikërisht Versajën, ka thënë se ishte e rëndësishme për të që të mos mbërrinte në Versajë me shije të keqe. “Është gjithashtu e stilit ‘Jacquemus’ të jesh në një peizazh, në vend që të jesh mbuluar në ari”, ka thënë ai.
Të jesh një vajzë “Jacquemus” do të thotë të mos kesh asnjë brengë në botë, prandaj mini-çanta e ashtuquajtur “Chiquito” - produkt personifikues i markës - është sa madhësia e pëllëmbës së dorës dhe nuk mund të hyjë asgjë e dobishme në të.
Njerëz shumë të famshëm përcollën nga afër shfaqjen e madhe. Rreshti i parë përfshinte njerëz të famshëm, si Viktoria dhe David Beckham, yllin kolumbian të popit Karol G dhe stilistin Law Roach.
Kendall Jenner gjatë parakalimit të saj në pasarelë kishte veshur një gjerdan të frymëzuar nga ai që Princesha Diana barti me “fustanin e saj të famshëm hakmarrës” në vitin 1994.
Magazina “HarpersBazaar” e cilësoi koleksionin si diçka larg tradicionales. Siluetat dhe harqet e dantellave tipike të veshjes formale të oborrit ishin të pranishme, por të riimagjinuara si mini-funde dhe të brendshme të tejdukshme. Modelet i kishin veshur këpucët e baletit me formë katrore me çorape dantelle të bardha deri te gjunjët, të qëndisura me lule.
Një tjetër modele, që kishte veshur një kostum të zi më mëngë të ekzagjeruara, po ashtu kishte një qafore tipike të inspiruar nga princesha e famshme, Diana.
Së bashku me vetë Versajën, Jacquemus ka thënë se Diana ishte frymëzim, i cili shihej më qartë në bizhuteritë e perlave safir që zbukuronin qafën dhe veshët e Kendall Jennerit.
Veshja e supermodeles Jenner shihet si inspirim nga fustani i martesës së princeshës, pasi që kishte mëngë të fryra të cilat u ngjasonin reve. Ndërkohë modelja Imaan Hammam po ecte duke shfaqur tjetër veshje të inspiruar nga dukja e Dianës në Festivalin e Kanës në vitin 1987.
+ 5
Imazhe të princeshës, duke veshur funde të fryra nën sako janë parë nëpër tabelat inspiruese të “Jacquemusit”. Kjo dukej qartë duket se e inspiroi disenjatorin për të krijuar shortcet e fryra që debutuan në pasarelë.
Shfaqja aktualisht është në trend në Twitter. Ka ngjallur diskutime rreth referencave të Marie Antoinette dhe Princess Diana, si dhe progresin e markës. Por e vetmja gjë që po thonë të gjithë mund të ishte parashikuar lehtë ditë më parë: “Do të doja të isha atje”.