Lifestyle

Task-Forca amerikane thotë se gratë duhet të fillojnë mamografitë nga mosha 40-vjeçare

Të alarmuar nga një rritje e diagnozave të kancerit të gjirit në mesin e grave të reja dhe shkallës së lartë të vdekjeve mes grave të racës së zezë veçanërisht, ekspertët e shëndetit kanë ofruar një rishikim të këshillave standarde mjekësore për mamografinë.

Gratë e të gjitha përkatësive racore dhe etnike që janë në rrezik mesatar për kancer gjiri duhet të fillojnë të bëjnë mamografi të rregullta në moshën 40 vjeç, në vend se ta trajtojnë atë si vendim individual deri në moshën 50-vjeçare siç rekomandohej më parë, ka thënë Task-Forca e Shërbimeve Parandaluese e SHBA-së.

Në vitin 2009, task-forca e ngriti moshën e mamografisë rutinë në 50, nga 40. Në atë kohë, studiuesit ishin të shqetësuar se rrezatimi i hershëm do të bënte më shumë dëm se mirë, raportoi NYT.

Por vitet e fundit ka ndodhur zhvillim shqetësues me kancerin e gjirit. Kjo përfshin rritjen e numrit të diagnozave me kancer te gratë nën 50 vjeç, dhe numri i grave të racës së zezë që vdesin në shkallë dy herë më të lartë nga kanceri i gjirit sesa ato të racës së bardhë.

Ekipi ka thënë se nuk ka prova të mjaftueshme për të bërë rekomandime për gratë që janë të moshës 75-vjeçare e më shumë.

Vdekjet nga kanceri i gjirit kanë qenë në rënie në vitet e fundit. Ende, mbetet kanceri i dytë më i shpeshtë te gratë pas kancerit të lëkurës dhe është shkaktari i dytë i vdekjeve nga kanceri.