Gratë shtatzëna duhet ta fikin sa më shpejt dritën për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të diabetit gestacional, kanë sugjeruar studiuesit.
Sipas Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve, diabeti gestacional prek të paktën katër deri në pesë në 100 gra gjatë shtatzënisë. Nëse nuk kontrollohet mirë mund të çojë në komplikime, duke përfshirë probleme shëndetësore për fëmijën, shkroi Guardian.
Hulumtimi ka zbuluar se gratë shtatzëna të cilat janë të ekspozuara ndaj niveleve më të larta të dritës në tre orë para gjumit duket se kanë më shumë gjasa të zhvillojnë diabet gjatë shtatzënisë.
“Drita gjatë natës mund të jetë një rrezik i panjohur për marrjen e një ndërlikimi serioz të shtatzënisë”, tha Minjee Kim, autori kryesor i studimit.
Mendohet se ekspozimi ndaj dritës gjatë natës shtyp nivelet e një hormoni të quajtur melatonin, prish orën e brendshme të trupit dhe ndikon në procese të ndryshme metabolike, siç është rregullimi i niveleve të sheqerit në gjak.
Lajmi i mirë, tha Kim, ishte se është relativisht e lehtë për të ndërmarrë veprime.
“Duke filluar tre orë para gjumit, përpiquni të errësoni dritat sa herë që është e mundur”, tha Kim, duke shtuar se kjo vlen edhe për pajisjet që lëshojnë dritë si telefonat.
"Përpiquni t'i hiqni ato nëse është e mundur, por nëse jo, të paktën përpiquni të zbehni ekranin ose vendosini në modalitetin e natës".