Lifestyle

Shumica e pacientëve me melanomë kanë pak nishane

Derisa personat me më shumë nishane mendohet të jenë në rrezik më të madh për melanoma, një studim i ri tregon se shumica e pacientëve me melanomë kanë më pak nishane.

Studiuesit zbuluan në një studim të pacientëve me melanomë se shumë prej tyre i kishin 20 ose më pak nishane, dhe se personat me nishane të parregullta kanë rrezik shumë më të madh të diagnostikimit me melanomë agresive.

Personat me 50 apo më shumë nishane ishin në rrezik më të ulët të kancerit dhe shpesh kishin më pak nishane të trasha ose të parregullta, raportuan hulumtuesit.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se numri më i madh i nishaneve mund ta rrisë rrezikun për diagnostikimin e kancerit.

Hulumtuesit në studimin e ri sugjerojnë se numri më i madh i nishaneve e ul rrezikun për shkak të vëzhgimit të madh të bazuar në studimet e mëparshme, dhe e bën më të mundshme që disa nishane kanceroze të mos vërehen, sepse askush nuk është duke i shikuar ato.

Për këtë studim, hulumtuesit i kontrolluan 566 pacientë brenda tre muajve nga diagnostikimi i melanomës në dy klinika akademike dhe në qendrën mjekësore Veterans Affairs në mes viteve 2006 dhe 2009. Studiuesit i kategorizuan pacientët në grupe me zero deri 20 nishane, 20 deri 50, ose 50 e më shumë, dhe i nënkategorizuan ata në bazë të të pasurit zero, një deri në pesë, apo më shumë se pesë nishane atipike, transmeton Koha.net. Trashësia e tumorit në mesin e pacientëve u kategorizua gjithashtu si 2.0 milimetra ose më pak, ose 2.01 milimetra ose më shumë.

Në mesin e pjesëmarrësve, 66.4 për qind kishin zero deri në 20 nishane totale, 20.5 për qind kishin 20 deri në 50 dhe 13.1 për qind e pacientëve kishin më shumë se 50 nishane, ndërsa gati tre të katërtat e pacientëve, 73.3 për qind, nuk kishin nishane atipike, 14.5 për qind e kishin një deri në pesë dhe 12.2 për qind kishin më shumë se pesë.

Tek pacientët më të rinj se 60 vjet, prania e më shumë se 50 nishaneve kishte rrezik dukshëm më të ulët të melanomës së trashë. Prania e më shumë se pesë nishaneve atipike, krahasuar me asnjë, lidhej me melanomë të trashë, gjithashtu.

“Disa mesazhe të reja të shëndetit publik dalin nga studimi, përfshirë edhe atë që melanomat diagnostikohen më shpesh tek individët me më pak nishane në krahasim me ata me më shumë “, shkruajnë hulumtuesit në këtë studim, i cili u publikua në JAMA Dermatology. “Për këtë arsye, mjekët dhe pacientët nuk duhet të mbështeten në totalin e nishaneve si një arsye të vetme për të kryer ekzaminime të lëkurës ose për ta përcaktuar statusin e rrezikut të pacientit”.